Kështu shprehet Ben Blushi ne nje interviste per gazeten Dita.
Pas përmbysjes së diktaturës komuniste, ju jeni bërë i njohur si gazetar dhe mandej si shkrimtar. Jeni autor i disa librave. Pastaj një deputet i spikatur i PS-së. Si iu shkrepi të themelonit një parti?
– Nuk më shkrepi të bëja një parti, por vendosa t’i bashkohem shumë njerëzve të lirë për të krijuar një alternativë të re në Shqipëri. Pra me pak fjalë unë ndoqa lirinë time dhe jam duke shijuar shijen e saj. Mendoj se LIBRA është një nga vendimet më të mira që kam marrë dhe shpresoj që kjo parti të mbetet që të bëhet edhe më e fortë kur unë të mos jem.
LIBRA nuk është partia ime, por e mijëra njerëzve të cilët besojnë se Shqipëria mund të qeveriset më mirë dhe madje shumë më mirë nga njerëzit e zakonshëm të cilët nuk mbartin mëkatet dhe detyrimet e të shkuarës. Ky është thelbi i LIBRA-s. Detyrimi për të ndryshuar Shqipërinë.
– Duket një aventurë…
– Nëse ju doni ta quani aventurë atëherë mund t’ju them se është një aventurë lirie. Liria për të vendosur të ikësh nga bataku, nga e keqja dhe e dëmshmja është një detyrim në jetën e njeriut. Prandaj dua t’ju them se LIBRA nuk është një projekt karriere, por është një projekt lirie. Më mirë i lirë në një fole sesa i ndotur në një strofull. Kjo është e gjitha dhe habitem pse nuk e kuptoni.
– Unë i kam lexuar me interes librat e tu dhe bisedoj me miqtë e mi për to. Ju e shfrytëzoni politikën për librat që shkruani, apo librat ju interesojnë për politikën që bëni?
– Unë shkruaj që të përshkruaj Shqipërinë që kemi dhe atë që nuk e kemi dhe ndoshta nuk e kemi patur. Librat që kam botuar kanë qenë një mundësi për t’i shpjeguar vetes dhe të tjerëve se vendi ynë mund të kishte qenë më ndryshe dhe historia jonë mund të kishte patur një drejtim tjetër. Historinë nuk e ndryshojmë dot me vepra pasi e shkuara nuk ndryshon, por mund ta ndryshojmë me mendim dhe fantazi. Kjo është ajo që kam bërë.
Por ndryshe nga letërsia e cila nuk e ndryshon dot të shkuarën politika mund ta ndryshojë të ardhmen. Pra LIBRA ndryshe nga gjithë librat e mi të tjerë synon të ndryshojë të ardhmen. Letërsia është një akt individual kurse politika është një art kolektiv.
Pra me LIBRA mund të ndryshoj atë që nuk ndryshoj dot me libra. Megjithatë e di që politika më ka dëmtuar si shkrimtar kurse letërsia më ka bërë një njeri më të mirë si çdo akt shpirtëror pasi letërsia nuk është materie dhe prandaj nuk ndryshon shumë nga fetë të cilat këtë qëllim kanë: ta bëjnë njeriun më të mirë në përgjithësi.
Do vazhdoj ta dëmtoj shkrimtarin për shkaqe politike duke i kërkuar të ndihmojë politikanin. Ky është një dualizëm me të cilën tani jam mësuar. Por nëse do duhet të zgjidhja mes të dyjave do doja të isha vetëm shkrimtar. Kështu nuk i bëj dëm askujt përveç vetes sime, ndoshta.
Mos harroni se Shqipëria lindi si një projekt shkrimtarësh në fillimet e saj gjatë Rilindjes së vërtetë, që shkrimtarët nuk i kanë bërë dëm këtij vendi, por janë përpjekur të ndreqin dëmet e politikanëve. Në rastin tim këto dy të vërteta janë brenda një njeriu. Nuk është e lehtë, por nuk është e pamundur.
– Dakord, por a jeni i besueshëm në ato që thoni? Pse duhet të besojnë ty të majtët shqiptarë se kërkon të reformosh të majtën, kur fjalimet dhe qëndrimet që ke mbajtur gjatë dy-tre viteve të fundit shpesh u ngjajnë akuzave të Sali Berishës? Në shkrimet tuaja dhe në fjalimet tuaja më herët e kini etiketuar Saliun si një nga keqbërësit më të mëdhenj të Shqipërisë. Ka ndryshuar Saliu apo Beni?
– Unë besoj se 25 vitet e shkuara kanë qenë të mjaftueshme për të bërë dallimin mes Saliut dhe kujtdo tjetër. Askush nuk e ka dëmtuar Shqipërinë moderne më shumë se Sali Berisha dhe pak njerëz ka ende aktivë në politikë të cilët gjatë gjithë kohës kanë qenë kundër Saliut në mënyrë kritike dhe aktive. Unë jam njëri prej tyre që nga viti 1991.
Nëse sot ju duket sikur ato që thotë ai dhe ato që them unë ngjajnë, kjo ka vetëm një shpjegim. Unë flas për të vërtetën pa interes kurse Saliu e përdor të vërtetën sipas interesit. Kur unë them se në Shqipëri janë vrarë njerëz këtë e ka bërë Saliu, kur unë them se në Shqipëri manipulohen zgjedhjet këtë e ka bërë edhe Saliu, kur unë them se në Shqipëri dominon korrupsioni këtë e ka lejuar edhe Saliu. Pra ndryshimi është i qartë si mes një fytyre dhe një pasqyre.
Unë mendoj se fajin e ka fytyra, ndërsa Saliu bashkë me të tjerë të ngjashëm mendojnë se fajin e ka pasqyra, prandaj e ka thyer në disa raste dhe mund ta thyejë prapë. Unë dua të ndryshoj fytyrën kurse Edi me Saliun duan të ndryshojnë pasqyrën.
– Konkretisht çfarë mendoni ju të bëni ndryshe nga Saliu, Fatosi dhe Edi Rama?
– LIBRA kërkon që Shqipëria të jetë një vend i jetueshëm që nuk zbon njerëzit e vet duke i lënë pa punë, pa shpresë dhe pa drejtësi. Kjo nuk ka ndodhur në 25 vjet dhe prandaj Shqipëria ka humbur një të tretën e popullsisë së vet përmes gjenocidit të korrupsionit. Korrupsioni i ka zbuar shqiptarët nga Shqipëria dhe ky është armiku që duhet të ndalet.
Mendoj se të tre këta i përkasin historisë, kurse LIBRA është krijuar për të ardhmen dhe do përpiqet të mbrojë interesin publik para interesit privat çka është edhe busulla e saj.
– Iu është dukur ndonjëherë vetja si Don Kishot në këtë nismë?
– Nëse ju duket kështu nuk do më vinte keq. Don Kishoti nuk i bëri asnjë dëm askujt dhe kjo nuk është pak në një shoqëri ku ata që kanë qeverisur nuk krahasohen me njëri-tjetrin nga të mirat, por nga dëmet që kanë shkaktuar.
Unë ende nuk i kam bërë shoqërisë asnjë dëm, ndërsa për cilësinë e ëndrrave ka kohë të konkurrojmë. Koha pengohet nga dëmet dhe përmirësohet nga ëndrrat qofshin ato edhe të pamundura.
– Sikur Edi Rama të kishte dhënë një post ministri, a do ta sfidonte Ben Blushi me krijimin e një partie?
– Në fakt kjo ka ndodhur dhe e kam refuzuar, por nuk dua të jap detaje. Dëshira për të krijuar diçka të re ishte më e fortë se çdo rehati në batakun e “Rilindjes”. Më vjen mirë për vendimet që kam marrë duke ikur nga një gjë që nuk ishte më Partia Socialiste.
Ndoshta nuk do ikja nga Partia Socialiste por do ikja me vrap nga “Rilindja” siç edhe e kam bërë. Ndryshimi mes PS dhe Rilindjes është si ndryshimi mes një gjëje të vjetër dhe një gjëje të vjedhur. E para është e vjetër, kurse e dyta është e vjedhur.
“Rilindja” ua vodhi pushtetin socialistëve për t’ua dhënë bandave financiare dhe të pasurve. LIBRA është një mundësi për të gjithë socialistët, të cilët duhet të binden se në një parti njerëzit shkojnë për shkak të të ardhmes dhe jo për shkak të së shkuarës. Kush voton për të shkuarën e ka gabim dhe kjo është ajo që duhet të ndryshojë në Shqipëri. A ka arsye të votohet më “Rilindja” e cila e ka shkatërruar Partinë Socialiste? Unë mendoj se jo. Dhe nuk jam i vetmi.
A ju ka frymëzuar Aleksis Cipras i Greqisë në lëvizjen tuaj?
– Nevoja e popujve për të provuar gjëra të reja është testi që ato bëjnë në raport me lirinë e tyre. Sa më takon besoj se kjo duhet të ndodhë edhe me shqiptarët. Ka ardhur koha që njëlloj si shumë popuj të tjerë përreth ne të ndahemi nga një sistem partish të cilat nuk kanë garantuar as progres dhe as barazi në këtë vend.
Nëse ka një gjë që më frymëzon janë idetë dhe njerëzit me të cilët jam bashkuar te LIBRA. Ata më shtojnë bindjen se kam bërë atë që duhet pavarësisht kostove dhe paragjykimeve.
– Pse duhet t’ju besojnë shqiptarët?
– Njerëzit duhet të besojnë se LIBRA është partia e njerëzve të barabartë dhe jo e Ben Blushit. Besimi tek një njeri shpesh të zhgënjen siç edhe ka ndodhur. Besimi tek një grup që mund të korrektojë edhe një njeri është më i fortë dhe më i qëndrueshëm.
LIBRA ka fuqi dhe energji të më korrektojë mua. A ndodh kjo te Rilindja? JO. Ajo i është nënshtruar Edi Ramës duke i dhënë rolin e pronarit në një shoqëri të përbashkët që nuk është më. A ndodh kjo te LSI? Jo. Ajo parti nuk e ndryshon dot Ilir Metën.
A ndodh kjo tek PD? Sigurisht që jo. Në këtë jetë të paktën Partia Demokratike nuk do arrijë dot të ndryshojë apo ta heqë Sali Berishën. LIBRA është një formulë tjetër dhe barazia jonë duhet t’i bindë njerëzit se kjo parti ka aftësinë për të shmangur dëmet që vijnë nga etja për pushtet apo për karrierë të pamerituar.
– Si do t’i shmangi këto dëme? Çfarë ka ndryshe partia juaj?
– Lirinë. LIBRA është e lirë dhe kjo e dallon nga rreshti i partive të personalizuara. LIBRA siç e thashë është ndryshe nga të tjerat pasi nuk është dhe nuk do jetë partia ime në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë. Unë po e ndihmoj LIBRA-n të rritet dhe sigurisht nuk kam ndërmend të plakem aty. Ka njerëz që shumë shpejt do ta bëjnë LIBRA-n më të madhe nga sa mundem unë dhe prandaj ky projekt u takon atyre.
– Cili është thelbi i kundërshtimit tuaj ndaj Ramës?
– Edi Rama i ka shuar shpresat për barazi, për drejtësi dhe luftë kundër krimit në këtë vend. Ai bëri çdo gjë kundër atyre që premtoi dhe nuk ka njeri në historinë e këtij vendi që e ka rrëzuar veten më poshtë se ai duke mos treguar asnjë qëndresë ndaj parimeve për të cilat mori pushtetin. Edi Rama është modeli i njeriut pa parime dhe pa vizon.
Ai nuk ka aftësi për të qeverisur vendin por ka vetëm një aftësi ende aktive: Të administrojë ekranet ku dalin dështimet e tij. Mendoj se kontributi i tij më i madh është aftësia për të shkaktuar kaos dhe pasiguri. Historia do ta lërë jashtë si një politikan që asnjë ditë nuk u bë burrë shteti.
– Ju kini qenë tepër kritik edhe ndaj Ilir Metës. Pse?
– Sepse besoj se Ilir Meta bën gjithçka për pushtet dhe për asnjë parim. Kishte mundësi të ndahej nga Rilindja në këto katër vjet por nuk e beri asnjë ditë dhe nuk arriti dot ta frenonte dëmin që ky grup i shkaktoi vendit. Ai nuk lufton për një qeveri më të mirë, por për një qeveri ku të jetë vetë mirë, dhe kjo nuk është parimore por personale.
Jam i bindur që shumë shpejt do ta kuptojë por natyrisht do jetë vonë. Nëse do t’i jepja një këshillë është kjo: parimet të çojnë te pushteti, por pushteti nuk të çon te parimet. E di që kjo nuk i vlen sepse prej shumë kohësh ai dëgjon këshilla vetëm nga dy njerëz: Nga Sali Berisha dhe Edi Rama.
Prandaj është gjithmonë i treti dhe nuk do jetë asnjëherë i pari. Mes këtyre të dyve ai zgjedh herë njërin, herë tjetrin dhe kjo zgjedhje e detyruar po i kthehet në fatalitet. Ndoshta prandaj e ka quajtur edhe partinë e vet Lëvizje. Lëvizja gjithçka, qëllimi asgjë, kjo është motoja e tij.
– Nga ndryshoni ju nga Kastriot Islami, i cili sot është deputet i Partisë Demokratike? Dikur keni qenë bashkë në Lëvizjen për Mendimin Ndryshe në PS?
– Kastrioti u përjashtua nga Partia Socialiste dhe bëri zgjedhjen e vet për të cilën nuk kam qenë dakord. Kurse unë ika me vullnet nga Rilindja dhe bëra zgjedhjen time. Pra ndryshimi është i madh. Unë nuk shkova nga një e keqe në një të keqe tjetër por ika nga e keqja përfundimisht.
– Le të bëjmë një supozim: LIBRA do të ishte përcaktuese për qeverisjen e ardhshme, pas 18 qershorit. Nëse votat tuaja do të ishin të domosdoshme, me kë do të bënit koalicion? Me PS-në e Edi Ramës, apo me PD-në?
– Ne duam t’i japim vendit një opozitë të re dhe nëse do na duhet të bëjmë koalicion do bëjmë koalicion vetëm me parimet tona. LIBRA nuk është një projekt i shkurtër dhe nuk është krijuar vetëm për një palë zgjedhje.
Ajo është një projekt afatgjatë që synon ta ndryshojë këtë sistem politik të kapur nga tre parti mizore dhe të padobishme. Kjo është arsyeja që LIBRA do garojë vetëm në zgjedhje në mbrojtje të parimeve të veta dhe e pakushtëzuar nga askush tjetër. Ne duam ta rrëzojmë këtë klasë politike dhe nuk duam të bëhemi aleat me ta.
MA.ME