Elbasani është në gati për festimet e Ditës së Verës. Mes panaireve, koncerteve dhe aromës së ballokumeve dhe luleve që ftojnë këtë festë tradicionale, qytetarët i kanë mbyllur përgatitjet dhe përcjellin mirëseardhjen për të gjithë ata që natën e 13 dhe 14 marsit do ta kalojnë në Elbasan. Me mijëra ballokume janë porositur, gatuar dhe tregtohen në çdo cep të qytetit duke mbajtur vendin e parë si ëmbëlsira tradicionale e Ditës së Verës.
“I ftoj të gjithë shqiptarët por edhe të huajt që të vijnë në Elbasan ditën e Verës sepse këtu është vendi ku ka lindur kjo ditë dhe është një nga ditët më të veçanta, festohet shumë bukur dhe i uroj të gjithë: Gëzuar Ditën e Verës.”
“Kemi ardhur nga Kosova për të parë si festohet Dita e Verës qytetin e Elbasanit.”
“Gëzuar Ditën e Verës, qoftë një verë e mbarë për të gjithë. Ju mirëpresim sonte në koncertin e madh me këngë dhe valle nga Art Revolution Dance.”
“I kemi bërë ballokumet me recetën e vjetër, me të gjitha kushtet që kërkon ballokumja”, shprehen qytetarë të ndryshëm.
Ndërkohë masivizimi i festës kërkon edhe masa nga policia si për qarkullimin ashtu edhe për mbarëvajtjen e festimeve. Për shkak se disa rrugë janë në rikonstruksion, policia rrugore kërkon evitimin e përdorimit të automjeteve nga ana e qytetarëve përgjatë rrugëve kryesore me qëllim lëvizjen normale të qytetarëve.
“Dita e Verës në Elbasan ka shtuar përpara Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit masa të tilla që të krijohet një mjedis i qetë dhe i siguruar për qytetarët që do festojnë në Elbasan”, shprehet Simon Mice.
Për të përballuar me sukses festimin sa më normal të Ditës së Verës, në ndihmë të shërbimeve të Policisë Elbasan, do te vihen ne dispozicion dhe forca nga Policia e Tiranës dhe FNSH-ja.