Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe akteve të KQZ-së në fuqi, shpalli sot kërkesën për shtetasit që kanë interes për t’u emëruar kryesisht si anëtarë apo sekretarë të 90 Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, që do të ngrihen për zgjedhjet për Kuvend të datës 18.06.2017.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, u shpreh se “Kjo ftesë publike që iu bëhet qytetarëve për të kontribuar në administrimin e procesit zgjedhor është detyrim që Kodi Zgjedhor ia ngarkon KQZ për çdo proces zgjedhor dhe nuk ka asnjë lidhje me përmbushjen e detyrimeve përkatëse ligjore nga ana e partive politike. Përsa iu përket këtyre të fundit, KQZ bën me dije se nga 4 partitë politike që kanë të drejtën për të propozuar anëtarë të KZAZ-ve, kanë sjellë propozimet brenda afatit ligjor, 5 mars 2017, vetëm Partia Socialiste dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim”.
“Shtetasit e interesuar për t’u emëruar kryesisht nga KQZ si anëtarë apo sekretarë të KZAZ-së, në bazë të nenit 29, 30, 31 të Kodit Zgjedhor, Udhëzimit të KQZ-së nr.4, datë 19.02.2013 “Për procedurat e përzgjedhjes dhe trajnimit të shtetasve që mund të emërohen kryesisht nga KQZ për plotësimin e vakancës së krijuar në KZAZ dhe KQV”, duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret”, tha Hoxhaj.
Në fund, Hoxhaj sqaroi se “Shtetasit që plotësojnë kushtet dhe kriteret, ftohen të paraqesin pranë KQZ-së ose pranë Zyrave Rajonale Zgjedhore të KQZ-së brenda datës 18.03.2017, dokumentacionin e duhur. Të interesuarit duhet të kenë parasysh se aplikimi i tyre është i vlefshëm vetëm për KZAZ-të që administrojnë procesin në territorin e qarkut ku ata kanë vendbanimin e tyre”. /b.d