Nga Megi Ndokaj
Artiste – balerinë
Duke qenë një kërcimtare e porsadiplomuar dhe duke njohur tashmë vështirësitë e këtij arti, shpesh përfytyroj rrugën e vështirë që kanë ndjekur artistët shqiptarë për t’i dhënë baletit lartësinë dhe dinjitetin që ai ka sot. Prandaj jam e mendimit se njohja e traditave dhe fillimeve, përveçse si histori, janë edhe pjesë e krenarisë sonë, sidomos stimuj për të punuar me po atë përkushtim, pasion e frymëzim siç punuan valltarët e dekadave të shkuara. Ndonjëherë ky pasion e ky frymëzim sot mungon, duke e kthyer artin thjesht në një interes, në përfitim. Arti nuk është thjesht punë, interes dhe fitim. Artistët e sotëm kanë nevojë për më shumë pasion, përkushtim, atmosferë artistike. Dihet se kërcimi është arti që i realizon dhe i shpreh emocionet nëpërmjet lëvizjeve të trupit, në një harmoni dhe zhdërvjelltësi plastike të përkryer. Arti i baletit ka si fuqi shprehëse lëvizjen e gjymtyrëve, duarve dhe gjithë trupit ndërtuar në përputhje me ritmin muzikor; po kështu ky art mbështetet shumë te ekspresiviteti i gjestit, kërcimit në ajër, rrotullimet, mimika, të cilat i japin «gojë», përcjellin ide, mendime dhe mesazhe.
Duke qenë një art që bëhet së bashku me artistët, kërcimtarë e muzikantë, ai paraqitet i vështirë për t’u organizuar. Kjo ka qenë dhe arsyeja pse në Shqipëri, përveç mungesës së kushteve, prapambetjes, mentalitetit patriarkal, baleti shfaqet shumë vonë, dhe pikërisht në vitet ’20 me organizimin e disa koncerteve dhe performimeve koreografike, kryesisht në tipet e vallëzimeve të asaj kohe si vals, tango, rumba, foks etj. Ishte i njohur në këtë kohë qendra e dancit tradicional në Tiranë “Cerkllë Dansi”. Më 2 dhjetor 1946 pranë Shtëpisë së Pionierit Tiranë u ngrit grupi i kërcimtarëve dhe akrobatëve të vegjël që drejtohej nga Belul Hatibi dhe Lola Gjoka, i cili vuri në skenë për herë të parë një numër koreografik me ritmin vallëzuar të tipit “rumba”, shoqëruar në piano nga Lola Gjoka. Më pas u realizuar kërcime të tjera në vals dhe vallet kozake. Në vitin 1947 mbështetur te ky grup i vallëtarëve të vegjël, krijohet “Baleti i vogël”, e cila u përfshi në Teatrin Popullor, ku u bashkuan edhe katër këngëtarë lirikë. Panajot Kanaçi u bë themeluesi i koreografisë shqiptare, i cili drejtonte asohere grupin e valleve të Shtëpisë së Pionierit. I organizuar në institucion, arti i baletit fillon rrugën drejt një statusi profesional vetëm me krijimin e Filarmonisë Shqiptare në fillim të viteve ’50. Ndonëse një art i ri dhe pa eksperiencë, si pasojë e dashurisë së artistëve të rinj, arti i koreografisë vit pas viti shënoi edhe sukseset e tij të para.
Duke shfletuar shkrime e libra për historinë e koreografisë shqiptare, mua më kanë bërë përshtypje të thellë nismat e para. Kam përfytyruar atë kohë dhe në mendjen time kam sjellë ata artistë, të mbushur me gëzim dhe pasion për kërcimin, që hodhën themelet e këtij arti. Dihet se performancat e para koreografike të baletit shqiptar u mbështetën në vallet popullore shqiptare nga trevat e ndryshme folklorike shqiptare, ku duhen përmendur vallja e Devollit, e Kukësit, e Tiranës e sidomos ajo e Zerqanit. Këto valle i dhanë një fytyrë origjinale kërcimit shqiptar, traditë e cila është ruajtur edhe sot. Por kuptohet se shfrytëzimi dhe përpunimi i valleve popullore mund të shërbente vetëm si një fillim, sepse më pas Panajot Kanaçi dhe koreografët e tjerë i superuan format e thjeshta popullore folklorike, duke kaluar në forma të përpunuara, sikurse qenë temat klasike të huazuara nga filmat si “Lakuriqi i natës”, “Vdekja e mjellmës”, “Hirushja” apo “Minuet” i Pedreskit, pjesë koreografike nga muzika e Brahms, Moxart, Çajkovski; tipologji vallesh popullore ruse, çeke, hungareze, polake. Në vitin 1949 ngrihet një tjetër grup vallëtarësh i përfshirë brenda Teatri Popullor, i quajtur “Baleti i madh” prej nga doli më pas trupa e ansamblit të valleve popullore shqiptare. Valltarëve tanë të asaj kohe i ra barra e rëndë për përvetësimin e teknikave të kërcimit klasik, pasi përvoja ishte shumë e pakët. Kjo u arrit nëpërmjet ndihmës së mësuesve koreografë të huaj, kryesisht rusë si dhe literaturës koreografike botërore, ndër to vepra të njohura të kompozitorëve të tillë si Çajkovski, Prokofiev, Brahms, Glier me baletet “Liqeni i mjellmave”, “Romeo dhe Zhulieta”, “Lulëkuqja”, “Valle hungareze” etj. Më 1 shkurt 1950 me vendimin e Këshillit të Ministrave u krijua Filarmonia Shqiptare. Në përbërjen e artistëve të saj ishte edhe grupi i “Baletit të vogël”. Nga kjo datë ata u shpallën si “profesionist”, ndonëse ishin të pashkolluar dhe me pak përvojë. Për herë të parë në historinë e vendit tonë kemi pra një trupë vallëtarësh profesionistë të baletit klasik. Financimi nga ana e shtetit ishte inkurajues dhe krijonte kushte për përgatitjen profesionale të tyre, duke iu përgjigjur një repertori klasik, kryesisht nga baleti dhe muzika klasike sovjetike dhe e vendeve të Lindjes, por dhe nga baleti e muzika klasike botërore. Një ndihmesë të madhe për rritjen e nivelit profesional të trupës së kërcimtare dhanë disa koreografë me emër të ftuar në Shqipëri, por ai që ka mbetur i paharruar në hapat e parë të baletit tonë ishte koreografi i njohur rus Georgi Perkun.
Duke menduar për fillimet e baletit shqiptar profesionist pas Luftës II Botërore përpara të del imazhi i atyre vajzave të reja që flakën paragjykimet ndaj këtij arti, ku balerina si figurë e si artiste përfaqësonte një shkallë të lartë emancipimi për vetë karakterin e punës së saj në skenë, me paraqitjen e trupit të bukur e pjesërisht të zhveshur. Kjo kishte mbi të gjitha edhe një karakter moral e qytetërues, sepse sakrifica e tyre, përveçse pasionit për artin e baletit, qe edhe një akt e qëndrim emancipues për shoqërinë ende të prapambetur, me praninë e një mendësie patriarkale shtypëse. Prandaj dhe dua të kujtoj me adhurim, mallëngjim e nderim të thellë balerinat e para si Melushe Bebeziqi, Mellani Terca, Ikbal Morina, Flora Kallajxhi, Olimbi Panteqi, Suzana Aliko, Milica Niça, Eftiqi Toroveci, Olimbi Gjoka, Sofika Stathi, Besa Morina, Leonora Dragusha, Qamuran Gorenca, Mimika Sami, Kristina Ligori; ose të tjera valltare që jetuan me këtë art duke i dhënë spektatorit kënaqësi të thella artistike si Afroviti Lipe, Lejla Kuçi, Veronika Mano, Suzana Asimi, Donika Miluka, Kristina Ligori, Milika Marsi, Adivie dhe Yllka Sharofim Jenise Xhangu, Irma Laze, Ikbal Morina, Mimika Sami, Lili Këllici, Alma Radovicka. Ato u ngritën mbi veten dhe paragjykimet, mbi thashethemet përgojimet që vinin nga njerëzit me mendime të mykura, duke u bërë kështu pionieret dhe mbartëset e përparimit të artit të kërcimit.
Balerinët e dekadave të para sollën kontribute të vyera e të pashlyeshme në ecurinë e baletit shqiptar. Vit pas viti u dërguan të studionin në shkollat e larta të baletit në vendet e Lindjes disa studentë dhe mbarimi i studimeve me emërimet si balerinë dhe koreografë në trupën e balitetit solli një cilësi të re artistike. Përveç Panajot Kanaçit si baletmaestër themelues dhe me kontribut të pazëvendësueshëm, si drejtues dhe organizator, u afirmuan me artin dhe talentin e tyre edhe valltarë të tillë si Mehmet Myftiu, Agron Aliaj, Skënder Selimi, Zoica Haxho, Ganimet Vendresha, Melushe Bebeziqi, Xhemil Simixhiu, Gëzim Kaceli, Ëngjëll Tërshana, Ylli Bebeziqi, Spiro Theodhosi, Sadik Batku, Fatmir Struga, Fadil Voci, Skënder Gozenza, Vilhem Konjari, Sami Bakalli, Abdulla Cara, Ramazan Bogdani, Petrit Vorpsi, ndërsa më vonë edhe Miltiadh Papa, Albert Janku, Liliana Cingu, Nexhat Agolli, Petrit Çeliku, Arian Sukniqi, Luan Shtino, Jashar Jazexhiu, Roberta Mone, Gjergj Prevazi, Kozeta Bakiu, Faruk Koka, Artan Ibërshimi etj.
Fillimet janë gjithmonë mbresëlënëse dhe të paharruara, të mbushura me emocionin e rritjes. Ato hodhën bazat e baletit shqiptar dhe prandaj duhen kujtuar përherë me nderim e respekt. Nga performancat e thjeshta erdhi koha kur trupa e baletit të paraqitej me vepra të plota, siç qenë baleti me katër akte “Shatërvani i Bahçisarajit” më 19 prill 1951, mëpastaj “Esmeraldës” më 11 janar 1953, “Kujdesi i kotë” në 1956, “Romeo dhe Zhuljeta” më 1957, për të vazhduar më tutje me baletet “Lola”, “Zarema e humbur”, “Zhurale”, “Fadeta”, “Laurencia”, “Sheherazade”, “Petja dhe ujku” etj. Me rëndësi të veçantë ishte edhe krijimi i veprave koreografike origjinale kombëtare si “Halili dhe Hajria”, “Delina”, “Bijtë e peshkatarit”, “Shota dhe Azem Galica”, “Joniada”, “Cuca e maleve”, “Tokë e pamposhtur” etj. Këto vepra e të tjera tanimë janë pjesë e historisë dhe memories kulturore artistike të kombit tonë, prandaj dhe herë pas here duhen kujtuar e përmendur, siç edhe unë e pata qëllim te ky shkrim. Kur kthejmë kokën pas ne, brezi i ri i kërcimtarëve, kemi se çfarë të mësojmë, kemi se çfarë të përvetësojmë nga arti i tyre. Por mbi të gjitha kemi respektin e thellë për veprën e tyre të paharruar.
.