Njësoj si për organet e Vettingut, edhe ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor si dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, po rrezikohet nga numri i ulët i kandidatëve. Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Abana Shtylla, përmes një shkrese drejtuar kryeparlamentarit Ilir Meta, bën me dije se kandidatët jo gjyqtarë e jo prokurorë që duhet të vijnë radhët e pedagogëve të drejtësisë, nuk plotësojnë numrin minimal dhe për këtë duhet ripahur procedura për thirrjen e tyre.
Bëhet fjalë për 10 vendet që votohen në Parlament për dy organet më të rëndësishme të drejtësisë. Janë vetëm 11 kandidatura. Do të mjaftonte kaq, që procesi të ishte i kritikueshëm nga skeptikët e sistemit.
Por një letër e vetë administratës së Kuvendit drejtuar deputetëve, thotë se problemet janë më shumë se kaq. Sipas sekretares së Përgjithshme të Kuvendit, në mbyllje të procesit nga trupa e pedagogëve janë regjistruar 6 kandidatura për gjyqësorin dhe 5 për prokurorinë. Sipas Albana Shtyllës, ligji thotë se nga kjo trupë duhet të shkonin për votim në Kuvend 10 kandidatë dhe në çdo rast jo më pak se 6 për secilin Këshill.
Në këto kushte, në letrën drejtuar grupeve parlamentare mbeshtetur, sipas saj edhe nga Euralius, sekretarja e Përgjithshme, njësoj si Gjenoveva Kalavera sugjeroi për vettingun: rihapjen e thirrjes për aplikim.
Komisioni përkatës ka vlerësuar se ka vetëm dy kandidatura për po aq anëtarë. Por, që Parlamenti të mos vendoset para detyrimit thuajse për të emeruar të vetmin kandidat, si shoqëria civile, si Kalavera ashtu edhe Shtylla ka sugjeruar edhe ajo rihapjen e thirrjes për aplikim. Ndërkohë, përzgjedhja e kandidaturave nga avokatët është bllokuar për një arsye tjetër. Komisioni i Posaçëm që duhet të vlerësojë kandidimet nuk ka kuorum për vendimarrje, pasi një prej anëtarëve ka aplikuar ndërkohë për një pozicion në një prej organeve të reja të drejtësisë. /ma.me