Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar me qindra marinsë në Siri për të mbështetur përpjekjet e forcave aleate lokale në marrjen e Rakas. Zyrtarë të mbrojtjes pohuan për “Washington Post” se po planifikohet ngritja e një avanposti nga ku të mund të lëshohet zjarr artilerie ndaj pozicioneve të Shtetit Islamik në një largësi prej 32 km.
Forca speciale amerikane gjenden tashmë në terren me mision këshillimor për aleancën e forcave demokratike siriane, të drejtuar nga kurdët. Gjatë fundjavës, një skuadër amerikane e forcave “elite rangers” u zhvendos në afërsi të Rakas me autoblinda.
Në kohën e administratës Obama, në Siri u dërguan trupa speciale, por misionet e tyre ishin vetëm këshilluese dhe stërvitore, ndërsa numri kufizohej në 500. Mendohet se dislokimi i marinsave do të jetë i përkohshëm, ndaj kjo nuk e prek tavanin e respektuar deri më tani për praninë e ushtarëve amerikanë në këtë vend.
ma.me