Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar në Greqi, me akuzën për trafik droge. Ata u arrestuan të enjten në mesditë, (9 Mars 2017) në qytetin Egjio, pranë rrugës nacionale Patras-Athinë. Sipas policisë, dy shqiptarët e moshës 19 dhe 29 vjeç, prisnin të merrnin në dorëzim një sasi droge prej më shumë se 110 kg kanabis.
Droga ishte sekuestruar më herët në afërsi të Janinës, kur policia kishte ndaluar një automjet me drejtues një shtetas grek të moshës 24 vjeç dhe një pasagjer, gjithashtu shtetas grek, 22 vjeç.
Në portbagazhin e automjetit u gjetën 25 dengje që përmbanin 110,3 kilogramë kanabis. Në vazhdim të këtij operacioni të koordinuar, policia kreu një kontroll në banesën e 19 vjeçarit shqiptar në Egjio. Aty u gjet kanabis i paketuar në sasira të vogla, një peshore precizioni elektronike, një shkop polici dhe një thikë e tipit “flutur”, pesë telefona celularë dhe një fletore me shënime. Departamenti antidrogë i Janinës po vazhdon hetimet, në përpjekje për të zbardhur pikënisjen e drogës së sekuestruar. Ora news
ma.me