Nga Fred Abrahams
Sipas zyrtarëve të lartë të policisë, ushtrisë dhe SHIK-ut të asaj kohe, qëllimi i Berishës ishte izolimi i jugut. Ushtria ngriti postblloqe për të përmbajtur grupet e armatosura, duke përfshirë Urën e Mifolit rrugës për në Vlorë. Kreu i SHIK-ut, Gazidedja, dërgoi forca ushtarake dhe policore në Fier dhe në qytetin jugor që qeveria kontrollonte ende, në Përmet. Po në të njëjtën kohë, militantët e PD-së dhe agjentët e SHIK-ut krehën lagjet e varfra të Tiranës, duke u ofruar vullnetarëve një armë dhe 50 dollarë në ditë.
Duke e parë me syrin e të sotmes, Gazidedja nuk kishte asnjë shans. Ushtria dhe policia në pjesën më të madhe ishin shpërbërë. Gazidedja ishte njeri i vendosur, verbërisht besnik ndaj Berishës, por pa përvojë për çështjet ushtarake, për të mos folur pastaj për mposhtjen e një revolte.
“Gazidedja kishte qëllime të mira, por jo aftësi organizative”, tha zëvendësi i tij, Bujar Rama, oficer i ushtrisë gjatë komunizmit, i cili në 1997 komandonte forcat e qeverisë në Përmet. Në një moment, tha Rama, SHIK-u dërgoi grupe me armë antitanke që kërkonin një ekip njerëzish për t’u vënë në punë. “Jo!”, ulëriu Gazidedja. “Një armë për çdo njeri!”.
Më 4 mars, aviacioni nisi me mision aeroplanë gjuajtës dhe Mig-ët e vjetëruar hodhën bomba në kodrat afër Vlorës për të shkaktuar frikë. Dy pilotët braktisën misionin dhe fluturuan në Itali, ku kërkuan azil. Njëri prej tyre tha se e kishin urdhëruar të bombardonte civilët, por ministria shqiptare e mbrojtjes e hodhi poshtë këtë akuzë[i].
Në vend që të ndalohej revolta, u përhap marrëzia. Grabitësit rrëmbyen armë antitanke në Tepelenë dhe tanke në Sarandë. Ata zbrazën tunelet e ushtrisë në faqe malesh që mbanin armë dhe pjesë këmbimi. Në Vlorë, protestuesit dhe partitë politike formuan atë që e quajtën Komitet Shpëtimi – tridhjetepesë veta, duke përfshirë përfaqësues nga Partia Demokratike – për të kontrolluar protestën e shndërruar në revoltë dhe për të administruar njëfarë pushteti lokal. Ish-oficerët e ushtrisë, shumë prej tyre të pushuar nga puna në 1992, organizuan postblloqe.
Në Tiranë, BBC-ja dhe Zëri i Amerikës u kthyen në transmetim, por lajmet ishin të copëzuara dhe kontradiktore. Politikanët e opozitës në pjesën më të madhe fshiheshin nga SHIK-u dhe vullnetarët e PD-së. Gazetarët ose ishin të fshehur, ose i kalonin ditët e tyre në Rogner. Pas dyerve rrëshqitëse prej xhami, holli ishte i mbushur me rrëfenja që të ngrinin gjakun: ushtria po marshon në jug, Vlora është e rrethuar, civilët po bombardohen. Gazetarë e huaj nuk shkonin dot më në jug se postblloku i qeverisë në Urën e Mifolit.
Bashkimi Evropian bëri thirrje për përmbajtje maksimale nga të gjitha palët. Italianët propozuan një qeveri të re me bazë të gjerë. Uashingtoni ishte më i drejtpërdrejtë. “Ne na vjen shumë keq që qeveria shqiptare po e përdor këtë gjendje të jashtëzakonshme për të frikësuar politikanët e opozitës dhe për të mbyllur shtypin shqiptar dhe për të mbyllur Zërin e Amerikës”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit. Ai shtoi: “Mendoj se këshillat tona do të ishin të rivendosej demokracia; të rivendoseshin të drejtat demokratike të opozitës; të rivendoseshin të drejtat e gazetarëve që tani janë duke u frikësuar”[ii].
Berisha e ndjente presionin, thanë këshilltarët e tij. Megjithatë, në vend që të lëshonte terren, ai ndoqi dy linja. Ai nisi një dialog me opozitën dhe vazhdoi veprimin ushtarak në jug. Gazideja ndoshta nuk kapte dot territore të humbura, por ishte më mirë që të hyje në bisedime me shpatë në dorë.
* * *
Siç më shpjegoi vite më vonë udhëheqësi i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, ai kishte pak besim që përpjekjet e tij do të dilnin me sukses, por duhej të përpiqej. Vendi po dilte jashtë kontrollit dhe vetëm dialogu mund ta shmangte gjakderdhjen, e ndoshta luftën civile. Për më shumë se pesë vjet ai nuk kishte folur asnjë fjalë me Berishën, por në mëngjesin e 5 marsit 1997, arkeologu i shndërruar në politikan la një letër në presidencë, ku kërkonte takim.
Po atë ditë, një themelues tjetër i PD-së, Preç Zogaj, pati të njëjtën ide. Ai dhe një mik iu afruan korrespondentit të Zërit të Amerikës dhe njeriut të besuar të Berishës, Mero Baze, dhe e pyetën nëse mund të flisnin në një vend të qetë. Tre burrat u larguan me qetësi nga turma, dhe Zogaj i tha Bazes se Berisha kishte refuzuar t’i përgjigjej letrës së Cekës. Opozita është e izoluar dhe e frikësuar, dhe vendi ka nevojë për dialog.
Baze dëgjonte me vëmendjen më të madhe, kujtuan para meje si Zogaj, ashtu edhe Baze. Edhe Berisha është i izoluar, tha Baze, i fshehur me disa ndihmës dhe roje në zyrën e tij në presidencë. Ai e pranoi që një zgjidhje politike ishte e nevojshme, por marrëdhëniet e tij me Berishën ishin ftohur qëkurse u pre kablli i transmetimit të Zërit të Amerikës. Prapëseprapë, Baze propozoi ta provonte njëherë.
Baze foli në telefon me Berishën dhe shkoi në zyrën e presidentit rreth orës 13.00. “Berisha ishte i rënë fare, pa ndonjë shpresë”, më tregoi Baze. “Ai ishte vazhdimisht vetëm. Mendoj se kishte vetëm dy sekretare”. Berisha e dëgjoi propozimin për bisedime, por nuk e dha fjalën për ndonjë gjë.
Atë pasdreke, Shqipëria ishte buzë humnerës. Jugu ishte i armatosur rëndë. Berisha dhe përkrahësit e tij nuk hiqnin dorë nga e tyrja dhe ishin po ashtu të armatosur. Rreziku i dhunës së armatosur po fanitej më pranë se kurdoherë qysh nga vitet 1990 ose 1991.
Për ngazëllimin e opozitës, Berisha pranoi. Ai tha se do të takohej me socialistët dhe Aleancën Demokratike, por vetëm fshehtazi. Opozita u takua në Rogner për të bërë plane. Zogaj dhe Ceka shkuan me makinë në shtëpinë e Rexhep Meidanit, të cilit i kishin prerë linjën e telefonit. Tre burrat morën me vete një drejtues tjetër të PS-së, Namik Doklen, dhe arritën te hyrja e prapme e Presidencës në 21.00.
Opozita e gjeti Berishën vetëm, me treguan katër vizitorët në intervista të veçanta. [iii]. Në fytyrë ishte dobësuar. Dukej i lodhur e i plakur. Shumë gjëra kishin ndryshuar qëkurse Berisha, Zogaj, Ceka dhe të tjerë themeluan PD-në pothuajse para shtatë vjetësh. Vizitorët i thanë Berishës se Shqipëria kishte nevojë për kompromis për të shmangur gjakderdhjen. Berisha kundërshtoi. Opozita po organizonte banda komuniste për të përmbysur qeverinë, tha ai. Meidani dhe Dokle e hodhën akuzën poshtë. “Jo, jo ju”, tha Berisha. “Të tjerë”.
Pas dy orësh, Berisha u tërhoq. Ai ra dakord të takohej me dhjetë partitë politike kryesore të nesërmen për të diskutuar ndaljen e operacioneve ushtarake dhe shpërndarjen e Komiteteve të Shpëtimit. Berisha ra dakord vetëm për të biseduar.
Opozita nxori një psherëtimë çlirimi. Zogaj kapërceu bulevardin drejt Rognerit, ku Mero Baze po priste me ankth. “Shqipëria shpëtoi”, tha Zogaj. Ai nuk e dinte se punët po merrnin kthesë më për të keq.
Partitë e opozitës u takuan të nesërmen në mëngjes në shtëpinë e Neritan Cekës që të përgatiteshin për takimin me Berishën. Ato ranë dakord të kërkonin një qeveri teknike me bazë të gjerë, zgjedhje të reja, dhe përfshirjen në bisedime të koalicionit “Forumi për Demokraci”.
Takimi në zyrën e presidentit filloi me një tronditje. Një ndihmës njoftoi se protestuesit në Sarandë kishin kapur tre ushtarë dhe po kërcënonin t’i ekzekutonin. Nën tonin që futi ai lajm dramatik, opozita paraqiti pikat për të cilat ishte marrë vesh: ndalim i operacioneve ushtarake, qeveri teknike, dhe zgjedhje të reja. Në atë moment, ndihmësi u largua nga zyra dhe u kthye shpejt me një lajm të ri: tre ushtarët kishin vdekur. Atmosfera ndryshoi sa hap e mbyll sytë dhe Berisha kaloi në sulm. Ai do të pranonte vetëm një armëpushim dyzeteteorësh dhe amnisti për ata që dorëzonin armët. Opozita dha miratim për kërkesat e Berishës, me amnisti për ata që do t’i kthenin armët deri më 9 mars. Ndërkohë, dialogu do të vazhdonte, por pa Forumin për Demokraci, të cilin Berisha e kishte bllokuar nga pjesëmarrja në bisedime. E pashpresë, opozita kapërceu rrugën për në Rogner për të njoftuar marrëveshjen. Kishte nisur një proces politik.
Reagimi në Rogner ishte i përzierë. Secili e pranonte që Shqipërisë i duhej një zgjidhje politike, por kishte disa që mendonin se opozita kishte qenë tepër e butë. Kritiku me zërin më të lartë ishte Fatos Lubonja i Forumit për Demokraci, të cilin Berisha e kishte bllokuar nga pjesëmarrja në bisedime. Duke qenë një folës i pasionuar dhe i shtjelluar mirë, me besueshmërinë që i vinte nga shtatëmbëdhjetë vjet si i burgosur politik, Lubonja po shfrynte që opozita kishte biseduar sipas kushteve të Berishës. Si mund të bëhej marrëveshje pa Komitetet e Shpëtimit në jug, e dëgjova atë duke bërtitur. Socialistët dhe Aleanca Demokratike kundërshtuan duke thënë se nisja e një procesi politik ishte hapi më i rëndësishëm.
Protestuesit e armatosur të jugut reaguan ndaj marrëveshjes me zemërim dhe tallje. Revolta ishte pa udhëheqje dhe sporadike – aventurierë, oportunistë, idealistë, kontrabandistë, dhe hajdutë – të bashkuar nga urrejtja kundër një njeriu, dhe ata nuk kishin për të ndaluar përderisa Berisha të jepte dorëheqjen. Komitetet e Shpëtimit në Vlorë dhe qytetet të tjera e refuzuan të dorëzonin armët dhe e akuzuan opozitën se i kishte shitur.
Sapo dolën rrezet e para të agimit, erdhi një varg delegacionesh të huaja. Ministri i jashtëm hollandez drejtonte një grup nga Bashkimi Evropian, që bëri thirrje për dialog dhe, ajo që kishte rëndësi, për zgjedhje të reja. Deri atëhere, vetëm qeveria e SHBA e kishte bërë këtë kërkesë. Këshilli i Evropës bëri thirrje për të njëjtën gjë, por Berisha i hodhi poshtë kërkesat, “Situata është e ngrirë”, tha kreu i delegacionit të Këshillit të Evropës në Tiranë. “Presidenti nuk duket se e kupton presionin ndërkombëtar që mund të ushtrohet mbi Shqipërinë”.[iv].
[i] Deklaratë e zëdhënësit, Ministria e Mbrojtjes, Republika e Shqipërisë, 5 mars 1997.
[ii] Konferencë e zëdhënësit Nicholas Burns, Departamenti i Shtetit i SHBA, Uashington, 4 mars 1997.
[iii] Shih gjithashtu Zogaj, Preç, Luftë Jocivile (Tiranë: Dita, 1998), f. 240.
[iv] “Europe’s Peace Plans Fall on Deaf Ears in Albania,” nga Tom Ëalker, Times (Londër), 8 mars 1997.