Ish-ministri i Brendshëm dhe zëvendëskryeministri, në qeverinë e parë pluraliste në vitet 1992-1994 Bashikm Kopliku sulmon Presidentin Bujar Nishani, duke e “sfiduar” të hapë dosjen e vet. Kopliku shprehet se Nishanin po e nxjerrin si antikomunist të devotshëm ndërkohë që atë që e njohin që në fëmijëri e dinë të vërtetën e tij dhe të familjes.
Reagimi i Koplikut
Zoti president, heshtja është faj, kur ushqen gënjeshtrën. Zonja Edith Haxhi, ish-zëvendësministrja e jashtme e Sali Berishes, ajo që u pat bërë e njohur si qeveritarja shqiptare që kishte bërë “studime” ku shante e denigronte rëndë miqtë e shqiptarëve, amerikanët, sapo tha në televizionin ABC, datë 20.02.2017, rreth orës 18:45, pasaktësinë tjetër të radhës: Presidenti aktual Nishani, pavarësisht se ai personalisht mund dhe të ketë qenë enverist i thekur, por ai qenkësh bir i një familje tejet antikomuniste, të persekutuar e të shpronësuar skajshëm nga regjimi komunist…
Është detyrë patriotike, qytetare, demokratike e morale, që po qe se ajo zonja vërtetë gënjeu, mos ta lënë pa përgjigje shqiptarët, sidomos durrsakët që e kanë njohur këtë presidentin aktual që kur lindi dhe që kur ishte adoleshent, si dhe familjen e tij që në vitet e para pas luftës së dytë botërore?! Nuk duhet të bëhen shqiptarët e ndershëm,
bashkëfajtorë me falsifikimet e historisë, duke heshtur, kur hidhet në publik gënjeshtra kaq të paskrupullta?! Nuk ka rëndësi të madhe se përse pati guximin, apo mbase injorancën e mendjelehtësinë, zonja që foli; ka shumë rëndësi që të demaskohen po publikisht ato që tha ajo, duke thënë të vërtetat. Vetë Nishani, ky që sot mban postin e presidentit, do të duhej të hapte publikisht dosjen e familjes së tij, para se të kërkojë hapjen e dosjeve të të tjerëve. Nuk duhet të lejohet që ai, presidenti aktual, të dalë me familje të persekutuar nga komunizmi, ndërkohë që faktet janë të kundërta, e të njohura gjerësisht: tregohen, që prej dhjetëra vitesh (unë personalisht i kam dëgjuar nga ju lexues, që nga viti 1970) bëmat në mbështetje të shtypjes komuniste të popullit, të kryera nga etërit e kësaj familjeje
superkomuniste. Apo i keni shpifur kësaj “familjeje të gjorë”! Shkruani si është e vërteta. Bashkim Kopliku, Ish-ministri i Brendshëm dhe zëvendëskryeministri, në qeverinë e parë jokomuniste, vitet 1992-94