“Rënia e firmave piramidale të ngritura nga Berisha me synim përfitime të klanit të tij(sponsorizimet në fushatë elektorale), sollën në fillim marsin 1997, situatën më kritike në Shqipërinë e pasluftës, e cila përfundoi në kaos, tragjedi, e shkatërrimin e plotë të shtetit… Për të mbajtur pushtetin e fituar me zgjedhjet e pa rregullta të majit 1996 , me çdo kusht, Berisha rizgjidhet President për herë të dytë nga Parlamenti në një situatë të jashtëzakonshme.
Berisha emëron kreun e SHISH, Gazideden Gjeneral të ‘luftës’ dhe nis operacionet luftarake në zonat jugore të vendit”. Ky është konkluzioni i autorëve James Pettifer e Miranda Vickers(libri ‘Çështja shqiptare’, shqipëruar nga Xhevdet Shehu), shoqëruar me detaje konkrete të ‘Luftës-1997’, ngjarjes pa precedent në marsin e këtij viti…
GJENDJA E JASHTËZAKONSHME
….Rebelimi në jug ishte ende i kufizuar në një numër vendbanimesh relativisht të vogla, ku më kryesorët ishin qytetet e Vlorës dhe të Lushnjes. Nuk kishte ende ndonjë shenjë të përhapjes së anarkisë në Tiranë, një faktor i rëndësishëm ky për një vend të vogël por tepër të përqendruar në kryeqytet. Sukseset e pjesshme nga fundi i shkurtit me masa shtrënguese të rendit e inkurajuan presidentin Berisha dhe rrethin e ngushtë të këshilltarëve të tij të ndiqte të njëjtën politikë… Më 3 mars 1997 qeveria shpalli ‘Gjendjen e Jashtëzakonshme’, e cila ishte përdorur vetëm gjatë kohës së regjimit komunist për të mobilizuar popullin kundër ndonjë sulmi të jashtëm ushtarak. Ligji për gjendjen e jashtëzakonshme i dha qeverisë fuqi të mbinatyrshme për të sunduar me dekrete, të përdorte ushtrinë ndaj kundërshtarëve të brendshëm. Qeveria vendosi gjithashtu kontrollin e plotë të saj mbi mediet. Vendimi për gjendjen e jashtëzakonshme u mor nga pazotësia e SHIK-ut dhe policisë për të shtypur revoltën, kurse Berisha dhe kryeministri Aleksandër Meksi filluan të shohin seriozisht sfidën ndaj autoritetit të tyre. Raportet që i shkonin qeverisë flisnin për veprime të rastësishme militantësh, shpesh në një shkallë të vogël, kundër pronës publike, sidomos ndaj rajoneve të policisë, zyrave të firmave piramidale dhe të Partisë Demokratike. Një faktor i rëndësishëm i rritjes së shqetësimit të tyre ishte përfshirja në trazira i zonave greqishtfolëse në jug.
BERISHA, ‘QËLLONI PËR TË VRARË’
Berisha këmbëngulte në politikën ‘qëllo për të vrarë’ kundër kryengritësve, e cila në të vërtetë ishte lejuar për Shqipërinë jugore, me fillimin e ndalimqarkullimit në mbrëmje, me censurën në media, me bllokimin e rrugëve dhe të mjeteve në arteriet kryesore.
Doktor Berisha, nën qeverisjen e të cilit kishte filluar lufta finale për të ardhmen e Shqipërisë postkomuniste, tashmë përpëlitej tani si e si të mbetej në pushtet. Në jug, strukturat e vjetra të Partisë Socialiste dhe të Sigurimit vunë në lëvizje militantët, agjentët si dhe punëtorët dhe fshatarët e zakonshëm nëpër qendrat e rebeluara së fundmi, disa prej të cilëve madje u vunë në shërbim të ‘Komiteteve Popullore’ (ose të ashtuquajturve ‘Komitete të Shpëtimit’).Këto komitete përgjithësisht mbështeteshin nga organizatat vendore të Partisë Socialiste dhe thoshin se kjo ishte e vetmja rrugë për të shpëtuar demokracinë shqiptare nga pushteti ushtarak apo diktatura e shpallur. Disa si në Korçë e quajtën veten ‘komitete pluraliste’ për të shprehur përparësinë e tyre në mbrojtjen e demokracisë në Shqipëri nga sundimi i një njeriu të vetëm. Ish-ushtarakë të njohur që Berisha i kishte përzënë nga ushtria ishin shpesh ndër më të dalluarit në këto lëvizje, sikurse ishte i vetëquajturi ‘Gjeneral Gozhita’ në Gjirokastër. Këta njerëz në të shumtën e rasteve kishin lidhje të dukshme me traditat e ushtrisë partizane të kohës së Luftës së Dytë Botërore. Tipare të veçanta të luftës partizane do të shfaqeshin shumë shpejt gjithandej.
BERISHA SHKARKON MEKSIN
…Situata po shkonte kështu drejt një përplasjeje të dhunshme të paevitueshme. Furnizimi me armë po kthehej në një çështje madhore. Për sa kohë që SHIK-u, ushtria dhe policia kishte në zotërim monopolin e armëve të lehta, pushteti i PD-së do të ishte i sigurt. Por më 3 mars në Vlorë ndodhi një ngjarje ogurzezë: turmat thyen depot ushtarake e policore dhe filluan të formonin një polici ushtarake vendore. Ngjarjet po precipitonin drejt një konflikti të mundshëm civil veri-jug. Në këtë situatë ishte e paqartë nëse gjendja e jashtëzakonshme u vendos si reagim i këtyre zhvillimeve në Vlorë, apo komitetet i hapën depot ushtarake dhe plaçkitën rajonet e policisë si përgjigje ndaj masave të rrepta të qeverisë. Sidoqoftë, ngjarjet e ndodhura më 2-3 mars ishin më pak të rëndësishme se fakti që të dyja palët po e synonin pushtetin në rrugë ushtarake… Në një emision televiziv Berisha i quajti ngjarjet që po ndodhnin ‘një rebelim komunist i mbështetur nga agjenturat e huaja’… Me një egërsi tipike, Berisha e shkarkoi qeverinë Meksi më 2 mars, duke e bërë kurban kryeministrin, ndërsa e mori të gjithë pushtetin vetë.
SHKËRMOQET USHTRIA
Kjo ishte një taktikë legjitime, por ndërsa qeveria orvatej të mobilizonte ushtrinë kundër rebelëve, ushtria si një instrument i zgjedhur i shtypjes shtetërore filloi të shkërmoqej dhe të shkonte drejt kapitullimit. Në kohën e krizës, Meksi mund të kishte pasur një mendim më të saktë se Berisha mbi pamundësinë e ushtrisë për të vepruar. Shumë ushtarë ishin duke i braktisur repartet, ndërsa oficerët ishin të përçarë në disa klane politike. Në Tiranë, Berisha u ndesh me kundërshtimin e gjeneralëve të ushtrisë së tij dhe, për pasojë, në ditët pasardhëse shkarkoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Sheme Kosovën, duke e zëvendësuar atë me këshilltarin e tij ushtarak, Adem Çopanin. Ky ishte fryt i zemërimit të Berishës për shkak të dështimit që patën drejtuesit e ushtrisë për të vënë nën kontroll situatën, por në të vërtetë ushtria prej kohësh kishte marrë tatëpjetën dhe, në pranverë të 1997-ës, në mos kishte kapitulluar, ishte e rrënuar. …Kryekëshilltari amerikan i ushtrisë, koloneli Denison Lejn (Dennison Lane), ishte larguar nga posti i tij në vjeshtë të vitit 1996, pasi ishte deklaruar i padëshirueshëm në Shqipëri. Ai i kishte raportuar Pentagonit të vërtetën e rënies dhe shpërbërjes së ushtrisë shqiptare, e cila ishte përqendruar në fusha dhe kapanone, dhe për këtë ai ishte përplasur me gjeneralët pro-Berishës. … Ideja e një kryengritjeje popullore të suksesshme në kontinentin evropian në fundin e shekullit XX ishte përtej logjikës diplomatike. Në të vërtetë ushtria ishte aq e tëhuajtur nga Qeveria sa dhe shumica e popullsisë, veçanërisht në jug, ndaj praktikisht Berisha mund të llogariste si besnikë të tij vetëm policinë sekrete të SHIK-ut.
Gjeneral Kosova u fajësua se nuk pranoi që ushtria të hapte zjarr mbi qytetarët, pavarësisht se forcat e armatosura mezi kishin mundur të dislokoheshin në disa vende.
BERISHA KUNDËR JUGUT
Në zonat e jugut mundësia e politikanëve të Tiranës për të ndikuar në ngjarjet që po ndodhnin kishte rezultuar e pafrytshme… Më 4 mars në Tiranë, mujsharët e Berishës plaçkitën dhe dogjën zyrat e gazetës Koha Jonë, në atë kohë gazeta më e rëndësishme opozitare, ndërkohë që parlamenti i rrethuar nga trupa të lerosur dhe me automatikë, rizgjidhte Berishën President për një mandat tjetër pesëvjeçar. SHIK-asit e veshur me xhupa të zinj lëkure përshkonin kryeqytetin gjatë natës, gati për të hapur zjarr ndaj kujtdo që shkelte ndalimqarkullimin. Por në tri javët e fundit rebelimi e kishte thelluar krizën dhe terreni që kontrollohej nga kryengritësit kishte ndryshuar tashmë rrënjësisht. Ngjarja më e rëndësishme në javën e parë të marsit ishte rritja e militantizmit në zonat e kontrolluara prej kryengritësve, si dhe paaftësia e qeverisë për të ndalur rrëmbimin e armëve të lehta nga popullsia… Gjendja ishte krejt e paqëndrueshme dhe, në të vërtetë, njësitë e dikurshme paraushtarake ishin krijuar në Vlorë e gjetiu, duke e bërë thuajse të pamundur parandalimin e përhapjes së pushtetit të rrugës në zonat me ndikim grek përreth Sarandës dhe Gjirokastrës. Rrugët e Sarandës u mbushën me protestues të zemëruar dhe një përpjekje e një njësie ushtarake për të hyrë në qytet dështoi pas një beteje në rrugën malore Sarandë-Delvinë, gjatë së cilës kryengritësit rrëmbyen dhe një tank. Komandanti i njësisë ushtarake të Sarandës dha dorëheqjen më 4 mars, ndërsa i urdhëroi vartësit e tij të braktisnin detyrën dhe të shkonin në shtëpi.
PLAÇKITEN KAZERMAT
Të nesërmen u plaçkit baza ushtarake në qytetin e vogël bregdetar të Himarës me banorë greqishtfolës, një kazermë në Fier u shkretua ndërsa komandanti i njësisë u zu peng dhe do të shpëtohej vetëm nga policët. Këto ngjarje dhe të tjera fakte që përfliteshin, në dukje të palidhura me njëra-tjetrën dhe me ‘masat e forta’ ushtarake në Tiranë, ishin një tregues i qartë për fillesat e një kryengritjeje të përgjithshme. Italia filloi të largojë qytetarët e saj nga Shqipëria, ndërsa mobilizoi policinë kufitare dhe rojet bregdetare të saj për t’i paraprirë ndonjë emigracioni masiv të ngjashëm me atë të vitit 1991. …Një pilot i forcave ajrore shqiptare fluturoi me gjithë avionin e tij MIG në Itali ku kërkoi strehim politik. Ministri i Jashtëm Tritan Shehu deklaroi në TV se jugu i vendit ishte ‘tërësisht jashtë kontrollit’… Fshatrat jugorë pranë kufirit me Greqinë u vunë rrufeshëm nën kontrollin e grupeve të armatosura, ndërsa në Tiranë shtoheshin radhët e gjata për bukë dhe artikuj të tjerë të domosdoshëm. Postblloqet në hyrje të kryeqytetit u përforcuan me njësi speciale të policisë…Kur më 7 mars në qytetin me ndikim grek të Sarandës Komiteti i Shpëtimit Publik deklaroi se ishte i vetmi autoritet qeveritar vendor, kjo u konsiderua si një shenjë paralajmëruese për ngjarjet e dy javëve në vazhdim….
NDARJA VERI-JUG
Me vendosjen e ligjit ushtarak nga Berisha, prej 7 marsit u formua një vijë ndarëse e dallueshme përmes Shqipërisë jug-perëndimore: përgjatë lumit të Vjosës, nga Vlora në bregdet duke ndjekur rrugën kryesore jugore nga Ballshi në Memaliaj e Tepelenë, mandej duke shkuar drejt lindjes në Përmet. Në jugperëndim të kësaj vije që shënohej nga lumi, autoriteti i Tiranës kishte pushuar së ekzistuari, me përjashtim të ndonjë fragmenti në rrugët kryesore. Forcat pro-Berishës zotëronin mjete të rënda dhe të blinduara, por situata në terren i ngjante shumë një beteje partizane të Luftës së Dytë Botërore, ku këto mjete ishin lehtësisht të goditëshme nëpër rrëpirat e grykave malore dhe nëpër gërxhet e atyre zonave. Rebelët më së shumti përdornin gomerët dhe kafshë të tjera të këtij lloji për ngarkesë se sa mjetet e motorizuara, ndërsa zakonisht shkonin në këmbë drejt veriut nëse guxonin të shkonin në rrugë kodrinore. Gjithsesi, më të shumtën e kohës ata e kalonin të strehuar në qendrat urbane pro-socialiste duke pasur përkrahjen e popullatës vendase… Grupet e armatosura të Tepelenës, të përfshira vendosmërisht në anën e palës kryengritëse që nga 5 marsi, zhvilluan një betejë të vërtetë në Memaliaj për të mos lejuar forcat e Berishës të merrnin nën kontroll rrugën për në veri. Në këtë aksion u krye minimi i një ure të rëndësishme mbi lumin Vjosë… Ky ishte momenti kur në qytetet e prodhimit të armëve në Gramsh dhe Poliçan, në jug të qytetit strategjik të Elbasanit, punonjësit e SHIK-ut i rrasën sindikalistët dhe veprimtarët politikë nëpër rajonet e policisë si të burgosur.
SHIK, TERROR NË PËRMET
Veprimet terrorizuese të SHIK-ut në Përmet në tri ditët e fundit, nga 5 deri në 8 mars, nxitën takime të fshehta të opozitës vendore dhe krerëve të komiteteve popullore nga qytete dhe fshatra të tjerë të jugut. Grupet dhe strukturat e vjetra politike të ish-ushtarakëve të zemëruar u vunë në lëvizje për të koordinuar veprimet kundër forcave të SHIK-ut si dhe për të vënë nën kontroll qytetet e mbetura në jug-lindje jashtë pushtetit të kryengritësve. Lajmet nga ajo zonë duhet të kenë mbërritur në Tiranë më anë të spiunëve të SHIK-ut si dhe miqësisht nga agjencitë e huaja të zbulimit, ose nga të dyja palët.
ARMË KUNDËR JUGUT
Pikërisht në këto ditë Berisha dhe Çopani thurën planin ushtarake për larjen e hesapeve me Jugun. Njësitë e forcave speciale me helikopterë ishin përgatitur midis 5 dhe 7 marsit për një ‘goditje përfundimtare’ mbi kryengritësit, ndërsa Berisha denoncoi në TV krerët e Partisë Socialiste duke i akuzuar ata për organizimin e rebelimit të armatosur, ‘për të përmbysur rendin kushtetues dhe demokracinë shqiptare’. Kjo akuzë e Berishës bëri që një sërë figurash deri atëherë të tërhequra të Partisë Socialiste të viheshin haptasi në mbështetje të rebelimit, duke pasur frikën se Berisha nuk do të ngurronte të vendoste një pushtet prej diktatori kundër partisë së tyre në rast se fitonte mbi kryengritësit. Qarqet elitare të Tiranës zienin nga thashethemet se qeveria kishte përgatitur një listë të gjatë të njerëzve që ajo donte t’i arrestonte, një shqetësim që më vonë rezultoi se kishte qenë me vend. Në mëngjesin e 6 marsit, tanket e vendosura mbi transportierë u nisën me tërsëllimë drejt jugut ndërsa operacionet për vendosjen e sigurisë filluan në krejt Shqipërinë jugore. Një aeroplan MIG bombardoi qytetin e vogël jugperëndimor të Delvinës. 400 burra të armatosur dhe me maska rrethuan Sarandën, ndërsa makinat sollën në qytet armatime anti-tank dhe lëndë eksplozive, natyrisht të grabitura. Në Vlorë njerëz të armatosur vigjilonin mbi çatitë e ndërtesave…/ DITA