Policia e Shkodrës ka zhvilluar një operacion të gjerë antidrogë. Sipas informacioneve paraprake, është arritur sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike si dhe një sasie armatimi, ndërsa mësohet se operacioni ishte disa mujor.
Blutë e Shkodrës kanë sekuestruar 31.140 rrënjë bimë kanabis e 150 kg lëndë narkotike, 330 gram fare kanabis sativa, 9 automjete, 22 telefona, 1 mitraloz, 2 automatikë, 2 armë zjarri pistoletë.
Burime zyrtare bëjnë me dije më tej se në këtë aktivitet kriminal janë të përfshirë 26 persona, ndërsa janë ekzekutuar urdhërat e Prokurorisë për 17 shtetas.
Njoftimi i prokurorisë:
Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar ndalimin e 18 personave, të dyshuar si të përfshirë në veprën penale të kultivimit të lëndëve narkotike.
Hetimi disamujor i zhvilluar nga Prokuroria Shkodër, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, është vijuar me ndalimin e dy kryepleqve të Njësisë Administrative Pult, një efektivi të Forcave Speciale dhe një numër personash të tjerë që ishin të angazhuar në organizimin përpunimin dhe përgatitjen e lëndës narkotike.
Në kuadër të këtij procedimi penal, në kohë të ndryshme gjatë muajve të fundit, kultivuesve u janë identifikuar dhe shkatërruar parcela, me rreth 100 mijë rrënjë kanabis.
Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria e Shkodrës konkludoi se kush ishin personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal, për të cilët ditën e djeshme janë urdhëruar ndalimit dhe që janë zbatuar nga forcat e Policisë së Shkodrës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës.
Në kuadër të këtij procedimi, janë ndaluar: Dritan Lisaj, kryeplak, Njësia Administrative, Pult, Shkodër; Gjin Lushi, kryeplak, Njësia Administrative, Pult, Shkodër
Të dy të dyshuar për “kultivim të lëndëve narkotike” dhe “Shpërdorim detyre”; Ardian Loci, efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, i dyshuar se dekonspironte aksionet policore. Ky i dyshuar është ndaluar nga SHÇBA.
Të ndaluarit e tjerë janë kultivues të lëndës narkotike, kryesisht banorë të zonës, të cilët kanë shfrytëzuar parcelat e tyre për mbjelljen e bimës narkotike cannabis sattiva. /b.d