Parku i Liqenit të Tiranës ka fituar një përmasë të re, jo vetëm sa i takon hapësirës që ofron për argëtim, por edhe rëndësisë që po i jepet ushtrimit fizik dhe sportiv. Kështu raporton Bashkia e Tiranës sipas së cilës pas këndit të lojërave për fëmijë dhe këndit të ri të forcës për të rriturit, Liqenit i është shtuar edhe kompleksi më i madh multisportiv.
Bashkia e Tiranës njofton se ka rehabilituar plotësisht tre fushat sportive, të cilat nga sot janë në dispozicion të qytetarëve dhe të apasionuarve pas sportit në natyrë. Fushat e reja u përuruan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se ky kompleks i jep më shumë jetë parkut dhe krijon mundësi argëtimi për të gjitha grupmoshat.
“Më vjen mirë që në një periudhë rekord stafi i APR-së transformoi një djerrinë, një pellg, një kënetë, një moçal, një vend aspak të dashur, një vend në terr, ku askush nuk donte të kalonte kohë, madje edhe kur e bënte vrapin e bënte shpejt sepse nuk kishte asgjë tërheqëse, në një mjedis të jashtëzakonshëm për qytetarët”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Ai nënvizoi se projekte të tilla do të zbatohen edhe në parqe të tjera të Tiranës, në mënyrë që edhe ato të marrin jetë dhe të frekuentohen nga qytetarët që duan të praktikojnë sporte të ndryshme.
Kompleksi sportiv ofron mundësi për lojëra basketbolli, volejbolli, futbolli, regbi, hendboll dhe hokej me patina. Fushat sportive janë funksionale ditën dhe natën, me ndriçim dhe ujitje, si dhe do të mirëmbahen nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit. Një nga fushat është me bar, ndërsa dy të tjerat janë me tartan për basketboll, volejboll, kalçeto. Ndërkohë, tre tribunat ofrojnë 600 vende ulëse për publikun. /b.d