Petrit Gjeçaj, oficeri i Policisë Gjyqësore që referoi në Prokurori dyshimet për një aferë korruptive 50 mijë euro në Gjykatën e Lartë, nuk tregoi dje burimin fillestar të këtij informacioni. Nga tavolina e dëshmitarit në gjyqin ndaj gjyqtares së pezulluar Majlinda Andrea, bashkëshortit të saj dhe tre të tjerëve në Gjykatën e Lartë, Gjeçaj tha se informacionin e kishte marrë nga një njeri i besuar i tij dhe se ligji nuk e detyronte t’i zbulonte identitetin. Rezistenca e dëshmitarit për të zbuluar burimin ndezi një debat të ashpër në sallën e gjyqit.
Përveç përplasjeve të forta mes dëshmitarit e avokatit deri në kufijtë e “luftës së nervave”, në debat u përfshinë edhe anëtarët e Kolegjit Penal, që u vunë disa herë në vështirësi për qetësimin e toneve të larta në gjyq mes avokatit dhe dëshmitarit, apo avokatit dhe prokurorit.
Pasi u tërhoq në dhomën e këshillimit, Kolegji Penal vendosi se OPGJ-ja nuk ishte i detyruar të tregonte burimin e informacionit. Ky vendim i ndërmjetëm nuk ndali këmbënguljen e mbrojtësit, që me pretendimin se referimet e bëra nga Gjeçaj ishin të pabaza, kërkoi me ngulm të dinte nëse bëhej fjalë për një informator, apo disa të tillë.
“Unë kam 14 vjet që punoj, dy prej të cilave në Tepelenë. Kam njerëz të besuar. Unë e kam detyrim ligjor që të referoj çdo denoncim, apo çdo fjalë që dëgjoj, ku kam dyshime se ka një vepër penale”, tha oficeri.
Sipas tij, për rastin e përballjes gjyqësore për pronën në Butrint, informacioni fillestar fliste për një aferë ku dyshoheshin si të përfshirë 3 gjyqtarë, 3 avokatë dhe një zyrtar i lartë.
Nga hetimet e mëvonshme nuk ishin siguruar prova për përfshirjen e tyre, por vetëm për gjyqtaren e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea. Në përfundim të dëshmisë, avokati Visha theksoi para gjykatës se legjislacioni shqiptar nuk i konsideron informacionet e dhëna nga burime anonime.
ALIBIA E “SEKSERIT”
Petraq Dashi, i dyshuar nga Prokuroria si ndërmjetësi mes përfituesve nga vendimi gjyqësor dhe gjyqtares për aferën korruptive, pranoi dje në sallën e gjyqit të gjitha bisedat e përgjuara nga Prokuroria. “Është e vërtetë që unë kam përmendur termat ‘graso’ në telefonatat e mia me Eleni Linon, apo se ata ‘miqtë’ në Tiranë e ulën nga 60 në 50 mijë euro, por unë nuk jam sekser i asnjë pale”, tha Dashi në një deklarim të lirë para Kolegjit Penal.
Sipas tij, të gjitha këto biseda mes tij dhe Ilia Çabirit kanë qenë të stisura, për t’i krijuar këtij të fundit bindjen se Dashi do të paguante ryshfet në Gjykatën e Lartë. Dashi sqaroi se kishte lënë të pandehurin Ilia Çabiri t’i përfaqësonte në Gjykatën e Sarandës në gjyqin për pronën në Ksamil.
Sipas një marrëveshjeje, në përfundim të gjyqit do t’i jepnin atij si shpërblim një pjesë toke. Por sipas Dashit, dy muajt e fundit, Çabiri kishte shfaqur pakënaqësi, duke thënë se kishte harxhuar 8-9 mijë euro për gjyqin dhe për këtë shkak ai kishte stisur biseda sikur do t’u paguante lekë për gjyqin disa “miqve” në Tiranë.
“Vetë i stisja, vetë i përgjigjesha”, tha Dashi. Më tej, ai theksoi se “rastisi që në 8 korrik Odhise Andrea më tha që i duheshin 50 mijë euro borxh, pasi do shkonte në Itali, ku do të blinte disa makineri të rënda”. Dashi tha se në këtë bisedë i ka kërkuar Odhisesë një pllakë graniti, që i duhej për kuzhinën e shtëpisë, për shkak se Andrea kishte kompaninë e mermerit e granitit.
“E takova në Tiranë, ku i dhashë lekët dhe në të njëjtën çantë, bashkë me lekët, ishte dhe një mostër e pllakës së granitit”, tha Dashi. Më tej, ai theksoi se për shkak të shifrës së pazakontë kishte kërkuar që në këtë rast, huamarrja të bëhej me një akt noterial. Sipas të pandehurit Dashi, ky akt ishte bërë disa ditë më vonë. “Kjo është e vërteta. Unë nuk kam folur ndonjëherë për çështjen në gjykatë me Odhise apo Majlinda Andrean”, këmbënguli i pandehuri, raporton ‘panorama’.
PLLAKA E GRANITIT
Para deklarimit të Dashit, pllaka e granitit që nevojitej për kuzhinën e tij u pohua edhe nga dëshmitaret Matilda dhe Sonela Dashi, përkatësisht gruaja dhe vajza e tij. Biseda telefonike e përgjuar mes meje dhe babit, ku ai më thotë ‘E çova atë porosinë atij shokut, këtë javë mbyllet’, ai e ka pasur fjalën që ka çuar mostrën e pllakës dhe se atë javë do të mbylleshin punimet në kuzhinë”, tha dëshmitarja.
ma.me