Trupi i pajetë i 47 vjeçarit, Jani Vrushaj, i cili u kthye nga Greqia që në datën 6 shkurt dhe askush nuk e pa më të gjallë doli në sipërfaqe pasi prurjeve të shumta të lumit Osum.
Banorët e zonës në afërsi të fshatit Tapi, në rrethin e Kuçovës, mesditën e sotme kanë parë në breg të lumit trupin e pajetë dhe menjëherë kanë kërkuar ndihmën e policisë.
Ekspertët hetimorë mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, ku u bë identifikimi i trupit të pajetë që sipas familjarëve rezulton të jetë Vrushaj, i cili u kthye nga Greqia gati tre javë më parë, por që nuk mbërriti kurrë i gjallë pranë të afërmve.
Më 9 shkurt, familjarët e tij dhanë alarmin se babai i dy fëmijëve ishte kthyer nga emigrimi, ku jetonte prej vitesh së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat, por nuk shkoi në banesën e vjehrrit të tij në fshatin Poshnje, ashtu siç dhe kishte njoftuar, raporton “Ora”.
Familjarët zbuluan gjurmë të tij në breg të lumit Osum në Bashkinë e Urës Vajgurore dhe në datën 10 dhe 11 shkurt nisën kërkimet për gjetjen e trupit të pajetë, por pa rezultat.
Gjetja e trupit të pajetë sot nxori në dritë dyshimet e të afërmve sipas të cilëve, në një moment depresioni nga i cili vuante prej kohësh 47 vjeçari i dha fund jetës duke u mbytur në lumë./a.k