Avokati Spartak Ngjela ka komentuar mbrëmjen e sotme situatën politike në vend, protestën e opozitës, dhe qëndrimin e mazhorancës. Në emisionin “Kjo javë” me gazetaren Nisida Tufa në “News 24”, Ngjela tha se bojkoti i opozitës është i dëmshëm.
Sipas Ngjelës problemi i opozitës është me vettingun, pasi rrezikohen nga reforma në drejtësi. Prej 18 shkurtit opozita qëndron në shesh, duke protestuar me kërkesën për zgjedhje të lira e të ndershme. Disa ditë më parë eurodeputeti Knut Fleckenstein u shpreh se bojkoti është i dëmshëm.
Por Basha shtoi një kusht të ri, duke u shprehur se vijimi me vettingun do të jetë i mundur vetëm pas krijimit të qeverisë teknike. Nga salla e Kuvendit, kryeministri Rama i cilësoi kërkesat e PD si “qiqra në hell”. Në seancën e kaluar parlamentare, ishte deputeti Ben Blushi ai që bëri një krahasim mes protestës së opozitës dhe grevës së PS në 2010. Blushi tha se partitë e mëdha politike janë “çalamane”, dhe luftojnë për “patericën e LSI”.
INTERVISTA:
Deklaratat e Bashës që bën thirrje për luftë dhe dhunë si i komentoni?
Dëshpërim. Nuk ka sens sepse kanë humbur ekuilibrin nga e drejta penale për vettingun. Problemi qëndron nëse ata do i shpëtojnë vettingut.
Ju thoni se nuk është në rregull, pra një irritim masiv që sipas tij nuk do jenë të qeta protestat, ju e mbështesni?
Është një aventurë kalamajsh, këtu nuk ka grusht shteti.
Ju flisnit për ngritje të popullit para disa vitesh…?
Ne kemi kërkuar hapje të kutive dhe zgjedhje të parakohshme sepse janë manipuluar zgjedhjet. Ky nuk kërkon zgjedhje të parakohshme. Ky e ka me goditje penale, pra me vettingun, këta rrezikohen të gjithë me vettingun, pasi 80% e këtyre nuk janë më në Parlament.
Nuk kishte rëndësi tek vettingu apo zgjedhjet, por tek dhuna?
Protesta masive nuk është dhunë. Ne donim në 2010 të hapeshin kutitë. Ne provuam që kanë manipuluar zgjedhjet atëherë. Janë hedhur 200 mijë vota brenda atëherë, por ai tha se nuk i hap kurrë kutitë. Me protesta masive është rrëzuar De Gool. Ky thotë shpo gomat dhe hidh xhamat. 12 mijë francezë kanë dhënë dorëheqjen.
A është një skenar që shqiptarët e kanë parë nga 2010 në 2017?
Qeveria po të dojë mund të nxjerrë më shumë protestues. Janë para zgjedhjet prandaj.
Pse nuk pranohet kërkesa e PD për qeveri teknike?
Sepse ata kërkojnë të bëjnë grusht shteti. Ata kërkojnë Ministrinë e Brendshme, ndërsa ky nuk ja lë. Ata kanë 6 muaj që godasin ministrin. Për qeveri teknike duhet krizë parlamentare. Kryeministri duhet të humbasë shumicën në Parlament. Këta thonë nuk futem në zgjedhje se manipulojnë. Votimin e elektronik e kam kërkuar unë. Pse nuk e bën? Ata duan Ministrinë e Brendshme edhe për kartat e identitetit, pasi në 2013 patën 150 mijë vota me karta identiteti false.
Çadra apo bunkeri i atyre që kane frikë nga vetttingu. Pse Meta është aty ku është dhe nuk është tek çadra?
Ai nuk është në nivelin e Bashës. Meta bën politik që të bëjë diçka për të shpëtuar. Këta nuk dinë të bëjnë politikë. Reformën në drejtësi e kërkon interesi amerikan që është puqur me atë shqiptar. Interesi shqiptar me atë amerikan nuk thyhet dot. Problemi është i thjeshtë.
Gjatë gjithë javës së protestës të pakta kanë qenë deklaratat e Metës. Si e shihni koalicionin?
Për mua ka qenë gabim. Nuk duhej bërë. Koalicioni nuk ka si prishet tani. Por mendoj se Ramës nuk i intereson nëse prishet apo jo koalicioni. Rama nuk rrezikon numrat. Çfarë zgjedhje të lira kërkojnë këta përderisa nuk kanë pushtet gjyqësor. Ata që kanë ardhur dhe kanë thënë që do bëjmë njëherë reformën në drejtësi, pastaj të vijohet me të tjera i kanë marrë parasysh këto.
Si mendoni se do zgjidhet situata?
Unë mendoj se situata është e zgjidhur. Këta bëjnë zhurmë kot. Janë si një enë bosh, që bëjnë zhurmë. Protesta dhe vota janë natyra e demokracisë. Por këta kërkojnë qeveri teknike.
Ju e shihni këtë vetëm si protestë të opozitës, apo edhe të qytetarëve?
Kur unë jap gjykimin tim duke thënë se protesta është e drejtë në demokraci, e them se çdo njeri ka të drejtë të protestojë.
Si e komentoni darkën me të fundit Rama-Meta, dhe reagimin e Majkos për foton e të birit?
Për këtë të Majkos nuk kam çfarë të them. Çdo kush ka të drejtë të reagojë ose jo për djalin e vet. Djali nuk ka bërë ndonjë gjest të madh, ajo është shenja e Curcillit. Përsa i përket pyetjes për darkën, mund të pyeten nëse do të vazhdojnë të hanë darka. Politika është interes. Pyetja është a ka interes Meta të shkojë në krahun tjetër.