Prokuroria i është përgjigjur Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve pas vendimit për të shtyrë në një moment të dytë heqjen e mandatit për dpeutetin Prenga, i cili po hetohet për deklarime të rreme në formularin e Dekriminalizimit. KQZ kërkoi nga organi i akuzës t’i viheshin në dispozicion të dhënat për Prengën që bëjnë të justifikueshëm ligjërisht ndërprerjen e mandatit. Ky institucion velrësoi si të pamjaftueshme materialet e paraqitura nga Prokuroria e Përgjithshme.
Por pas kërkesës, organi qëndror i akuzës i ka kthyer përgjigje KQZ-së, ku i rikërkon ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të deputetit Armando Prenga, pasi ky i fundit nuk ka respektuar kërkesat e ligjit për plotësimin e të dhënave.
Porokuroria sqaron se deputeti nuk ka deklaruar një dënim të Gjykatës së Kurbinit por edhe dënime në Itali.
“Sipas Vendimit të Kuvendit nr.17/2016, mosplotësimi i të dhënave “….passjell përjashtimin e menjëhershëm nga funksioni publik….”. Pra, vetëm duke u mbështetur në faktin që ka një vendim penal të padeklaruar (të Gjykatës së Kurbinit), deputetit duhet t’i ndërpritet mandati”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar përgjigjen ditën e sotme për t’i dhënë mundësinë KQZ-së që të shqyrtojë brenda afatit ligjor vendimin e Prokurorisë për konstatimin për ndërprerje të mandatit të deputetit Prenga.
KQZ ka detyrim që të shqyrtojë vendimin e Prokurorisë brenda 10 ditëve nga vendimmarrja e Prokurorisë. Prokuroria e Përgjithshme ka marrë vendim për konstatimin e ndërprerjes së mandatit të deputetit Prenga në dt.15.02.2017.