Ndërsa prej javësh në Durrës protestohet kundër betonizimit pranë Torres Veneciane në kuadër të projektit “Vleria”, dje në ministerialin e Europës Juglindore ku theksi ishte kultura si motor zhvillimi, kryeministri Edi Rama foli për qasjen ndaj së bukurës, rëndësinë e Rilindjes Urbane dhe shëmtinë e kudondodhur. Fjala e tij, më vonë do të ndiqej nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila foli për ndaljen e betonit në Krujë; bashkëpunimin publik-privat me rregulla loje, sikundër edhe për trafikimin e veprave të artit.
TRAFIKIMI I ARTIT
Lufta kundër trafikimit të pasurive kulturore dhe trashëgimia si burim ekonomik ka qenë kryefjala e Konferencës së tretë Ministeriale “Nxitja e Kulturës për Zhvillim të Qëndrueshëm” mbajtur dje nga Këshilli i Ministrave të Kulturës të Europës Juglindore CoMoCoSEE, në Tiranë. Ndërsa Shqipëria mbante presidencën e radhës të CoMOCoSEE-së, ministrat e Kulturës të Greqisë, Serbisë, Malit të Zi, Kroacisë, Bosnjë- Hercegovinës, Rumanisë, etj. kanë folur për rëndësinë që ka kultura jo vetëm brenda shteteve, por edhe si pjesë e Kulturës Europiane, sikundër tha në hapje ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, e cila bëri thirrje për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
“Strategjia Kombëtare për luftën kundër trafikut të pasurive kulturore është një platformë reale bashkëpunimi, që ka treguar se funksionon si për të parandaluar, ashtu edhe për të kapur në kohë çdo tentativë trafikimi”, tha ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, duke risjellë në vëmendje “ikonat” e sekuestruara apo objektet e Apolonisë. Ndërsa, Qendra e Inventarizimit ka nisur pasaportizimin e veprave të artit dhe trashëgimisë, çka do të përforcohet me Ligjin e ri të Trashëgimisë, duket se Shqipëria nuk ka një bazë të dhënash me objektet e trafikuara ndër vite. Shumëçka e zhdukur prej kishave të jugut nuk dihet ku kanë përfunduar.
E pyetur nga “GSH” nëse ka dijeni për trafikim të këtyre vepra në Greqi, ministrja e Kulturës së Greqisë, Lydia Koniordou, mohoi të ketë dijeni. Ajo tha se ka një bashkëpunim të madh mes Greqisë dhe Shqipërisë sa i takon artit bizantin, çka u përforcua nga Kumbaro. “Kemi bashkëpunim për studimin e artit mesjetar. Përforcoj atë që tha ministrja greke, ne kemi bashkëpunuar me Qendrën e Artit Bizantin në Selanik për të restauruar objektet e Muzeut të Artit Mesjetar të Korçës. Madje, kjo qendër na ka ndihmuar për konceptimin e muzealizimin e tij. Ka bashkëpunim edhe mes dy policive, sepse kur futemi në luftën e trafikut ilegal, bashkëpunimi shkon përtej ministrive të kulturës”, tha Kumbaro.
E ARDHMJA
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro kujtoi se Shqipëria është shumë afër miratimit në Parlament të një projektligji të ri për Trashëgiminë Kulturore, “një projektligj guximtar, por edhe bashkëkohor, që përfshin në përgjegjësi dhe në bashkëpunim për menaxhim të Kulturës edhe pushtetet e tjera, edhe sektorin privat, edhe komunitetin, duke propozuar forma të reja partneriteti, të cilat synojnë rijetëzim të siteve të trashëgimisë si dhe kthimin e kulturës në një motor zhvillimi”. Ajo shtoi se Shqipëria ka burime ekonomike të pashfrytëzuara në trashëgiminë kulturore.
“Programi i qendrave historike urbane është tashmë në provë: – duke nisur nga qytetet e vogla, gati të harruara nga harta e zhvillimit të territorit, si Erseka, Kavaja, Shijaku, Puka, Tepelena, Përmeti. Ishin qytete ku dukej sikur koha ishte ndalur në vitin ’90 në rastin më të mirë dhe batërdisur nga ndërtimet pa kokë e pa këmbë. Rasti më i keq ishte Kruja, e cila për 25 vite u rrethua nga armiku i pamposhtur i betonit, ndërsa sot Kruja po ngre kokë e lulëzon”. Në vazhdë të kësaj, Kumbaro përmendi edhe atë që e cilësoi, “programi i qyteteve të mëdha, si Durrësi, Korça, Vlora, Shkodra, Tirana, ku nuk synohet thjesht ndërtim ngrehinash, por zhvillim shoqëror dhe kulturor, jo vetëm për të kaluar mbrëmjet, por për të tërhequr bizneset e mëdha, bankat, brendet dhe biznesin imobiliar”.
Gjithë ç’u tha më sipër, sipas Kumbaros përkon me fazën finale të ligjit për trashëgiminë. “Ky ligj duhet në fakt të diktojë rregulla në menaxhimin e trashëgimisë, që loja të jetë e ndershme edhe për biznesin, edhe për klientët, edhe për qytetin si një hapësirë urbane kolektive, ku shteti duhet të mbajë prioritetet e politikës së vet sociale. Unë besoj shumë fort te publikja dhe nëse menaxhimin ia besoj privatit, politikat sociale s’duhet të humbasin fillin e ekuilibrit kulturor dhe edukues”.
DEKLARATA
Një fokus i veçantë në konferencë ishte deklarata e përbashkët, që u miratua nga ministrat e Co- MoCoSEE, e cila u diskutua nga palët e interesuara për zhvillimin e një qasjeje të koordinuar për luftën kundër trafikimit të paligjshëm të pasurisë kulturore; të inkurajojë shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira të aplikuara në sektorin e kulturës. Qëllimi kryesor i kësaj konference ishte diskutimi për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal për kulturën, duke e parë atë si një shtyllë kryesore të zhvillimit ekonomik dhe ndërtimit të urave të qëndrueshme të bashkëpunimit mes vendeve. Ky takim mblodhi ministra dhe titullarë të lartë të vendeve anëtare të CoMoCoSEE (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Moldavia, Mali i Zi, Romania, Serbia, Sllovenia, Turqia, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë). UNESCO, Komisioni Evropian dhe Këshilli i Europës morën pjesë në cilësinë e vëzhguesit. BW
ma.me