Asnjë prej 5 personave të arrestuar deri në këto moment për grabitjet në rrugën e Rinasit nuk ka qenë pjesë e grupit që ka goditur makinat me para.
Ata kanë qenë në rolet e personave që dhanë informacionin, vëzhguan blindat dhe ndërlidhësit me pjesën tjetër të grupit. Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore Fation Xhyliu dhe Ditjon Memlika kanë dhënë informacion për lëvizjen e shumave të mëdha nga banka duke qenë se punonin në policinë private.
Ish-komandoja Neim Avdulaj pasi ka marrë informacion për lëvizjen e parave ka lajmëruar me sms Admir Çerpjen, i arrestuar të premten në Dibër. Ky i fundit ka komunikuar me te tjerë persona të cilët grupi hetimor nuk jep detaje pasi po punohet për t’i identifikuar.
I vetmi person i cili dyshohet se mund të ketë marrë pjesë në direkt në grabitjen e parave është i arrestuari Ernest Kupa. Por ai i ka mohuar kategorikisht akuzat.
Edhe Admir Murataj i shpallur në kërkim dyshohet se ka marrë pjesë në grabitje e blindave me para. Për hetuesit misteri me i madh në këtë çështje është destinacioni përfundimtar i 7 milionë eurove të grabitura. Policia ka njoftuar se gjatë këtyre ditëve janë gjetur shuma të konsiderueshme parash por pa dhënë një shifër zyrtare. Burimet sqarojnë se deri në këto moment nuk janë gjetur më shumë se 500 mije euro.
Për këtë arsye kanë nisur një hetim edhe për pasuritë e të ndaluarve, personave të shpallur në kërkim dhe familjareve të tyre më të afërt. Ka dyshime që pjesa me e madhe e parave të vazhdojnë të jenë të fshehura ose mund të jenë dërguar jashtë vendit. / TV KLAN/