Nga Armando Meta/
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, artikuloi sot mesazhin e protestës së 18 shkurtit: sipas tij, PD kërkon qeveri teknike për të shkuar në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të qershorit. Ai madje nënvizoi jo pa kërcënim se ose do ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme ose nuk do të ketë zgjedhje në Shqipëri.
Kushtin për qeveri teknike ai e artikuloi duke ofruar edhe veten si “sakrifikues” për të hyrë në çadrat e ngritura përpara kryeministrisë nga militantët e PD-së (skemë e PS në vitin 2009). Në fakt, një element që duket qartë është se kjo kërkesë e Bashës ka jo pak nonsens brenda vetes.
Së pari një qeveri nuk bie se përpara dritareve të kryeministrit ulet në çadër kryetari i opozitës. Qeveria ka votat dhe ngrihet ose rrëzohet në parlament. Së dyti, Basha përfaqëson një parti e cila është votuar për të qenë në opozitë deri në zgjedhjet e ardhshme, si ndëshkim për keqqeverisjen e vendit për 8 vite me rradhë që ai dhe PD i bënë vendit. Së treti, zgjedhjet duhet t’i fitosh dhe jo të t’i dhurojnë në tavolinë. Së katërti, mazhoranca aktuale i ka të gjithë numrat e nevojshëm të votave, madje ka një shumicë dërrmuese parlamentare, e cila vijon të jetë funksionale. Kanë qenë vetë Berisha e Basha që edhe kur nuk kishin numrat e duhur në Kuvend për të qeverisur, pas largimit të LSI nga koaliconi në prill 2013, pak muaj para zgjedhjeve, me disa blerje të shpejta në kampin e PS e shtynë si e shtynë deri në ditën e votimit, duke refuzuar çdo lloj qeverie teknike. Ata ja kanë dhënë vetë në dorë Ramës precedentin për të hedhur poshtë çdo kërkesë të ngjashme.
Në fjalimin e Bashës nuk pati madje as ndonjë propozim konkret për Reformën Zgjedhore. Nuk është e qartë se çfarë kërkon në këtë moment opozita, votim elektronik, diçka tjetër, apo thjesht rrëzim të qeverisë?!
Mesa u dëgjua sot, përpjekja e PD-së është që të rrëzojë qeverinë aktuale. Dhe ky duket si një mision i vështirë, pse jo dhe i pamundur dhe i palogjikshëm. Qeveritë nuk bien se kandidati i opozitës për kryeministër i rri poshtë zyrës kryeministrit dhe i kërkon dorëheqjen në emër të partisë së tij. Basha që të bëhet kryeministër së pari duhet t’i fitojë zgjedhjet. Zgjedhje të cilat i humbi pa lavdi në verën e vitit 2015. Protesta e sotme mund të jetë një fillim i mirë fushate nga ana e PD, por nuk mund të jetë kozmetikë e mjaftueshme për të justifikuar dështimet e Bashës dhe opozitës në katër vjetët e fundit.
Kanë mbetur vetëm 4 muaj deri në zgjedhje. Për pak javë nisin procedurat për zgjedhjen e presidentit e më pas fillon fushata. Opozita po kërkon të ndërrojë artificialisht raportet e vendosura me votë në zgjedhje normale, me një marrëveshje tavoline që mbetet e paqartë në termat e saj. Ndeshjet fitohen me skudarën kundërshtare përballë, jo duke kërkuar largimin e saj nga fusha dhe hapjen e portës që të shënosh gola pa portier.