Sa u takon akuzave për dënime shkrimtarësh e poetësh, ai shprehet se:
“Të gjithë harrojnë se ç’ka qenë komunizmi, harrojnë se ai regjim ishte absurd, i çmendur, i pabesë, ku askush nuk e kishte në dorë të zgjidhte, as postin e rëndësishëm, siç ishte ky i kreut të Lidhjes së Shkrimtarëve, as burgun”.
Dhe në këtë kontekst, sipas tij, duhet vendosur edhe figura e Dritëro Agollit.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Nano jep mendimin e tij mbi debatin që ka nisur pas vdekjes së Dritëroit, duke iu përgjigjur kështu edhe kritikave të Zhejit dhe Markut.
“Ishte komunist i bindur. Por në këtë kuptim, faji ka qenë edhe i mijëra të tjerëve.
Sikur regjimi komunist të kish zgjatur edhe nja dy a tri dekada të tjera, nuk do ishte çudi që kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të ishte Artur Zheji sot. Ndoshta edhe Mark Marku.
Ndoshta edhe Mustafa Nano.
Ashtu si nuk do të ishte çudi që të tre ne të ishim në burg, veçse në këtë rast nuk do të ishim në burg për ndonjë heroizëm.
Do të ishim thjesht së regjimit do t’i tekej t’na burgoste. Dua të them pra, atë që thashë më sipër, d.m.th, që ai regjim ishte absurd, ku njerëzit silleshin në mënyrë absurde, vlerësoheshin dhe e pësonin në mënyrë absurde.
Si rregull, kështu ndodhte. Përjashtimet thjesht e përforcojnë këtë rregull”, shprehet Nano. /b.d