Bashkia e Tiranës, Këshilli i Evropës dhe Ambasada Zviceriane nënshkruan sot Memorandumin e Mirëkuptimit për mbështetjen dhe forcimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrjen e strukturave të qeverisjes vendore. Qëllimi i këtij Memorandumi është që të ofrojë një kornizë bashkëpunimi mes palëve, në funksion të zbatimit të demokracisë direkte që Bashkia e Tiranës ka nisur të zbatojë në disa prej diskutimeve publike të projekteve të saj madhore, të cilat janë duke u realizuar. Memorandumi u nënshkrua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës, Claus Neukirch dhe ambasadori i Zvicrës, Christoph Graf, gjatë një takimi ku mori pjesë edhe eksperti zviceran, Andreas Gross.
Pasi falenderoi Zvicrën dhe KiE për këtë mundësi, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi se ekspertiza e tyre do t’i shërbejë Bashkisë së Tiranës për të forcuar dhe zhvilluar edhe më tej vendimmarrjen nëpërmjet përfshirjes së qytetarëve. “Kjo është një marrëveshje që synon të bëjë më mirë atë që tashmë po e bën Bashkia e Tiranës. Ne kemi pasur disa eksperienca fantastike, të asaj që ne e quajmë demokracia me pjesëmarrje. Disa momente kyçe ku ne e kemi zbatuar demokracinë direkte ishte hartimi i buxhetit me pjesëmarrje, ku qytetarët propozojnë buxhetin, pastaj votojnë në forume publike, miratojnë propozimet tona për buxhetin, për shpenzime, për investime etj”, tha kryebashkiaku i Tiranës.
Ai vuri në dukje se Bashkia e Tiranës e ka bërë standard të sajin marrjen e mendimit të qytetarëve, nëpërmjet konsultimeve të hapura dhe të gjithanëshme për projektet e saj, që kanë një impakt të madh dhe të drejtpërdrejtë te qytetarët. “Një eksperiencë fantastike ishte momenti kur kaluam Planin e Përgjithshëm Vendor, ku shumë prej ideve që kishin qytetarët, qoftë për Pyllin Orbital, për të shtuar më shumë gjelbërimin, për më shumë transport publik, u bënë pjesë të planit. Projekti që tashmë kemi përfunduar, i sheshit Skënderbej, pësoi shumë modifikime falë konsultimeve me pjesëmarrje të qytetarëve në 24 njësitë, prej të cilave vendosëm një parking nëntokësor dhe që të barazojmë hapësirën e ngurtë të sheshit me gjelbërimin. Këto janë 3-4 shembuj modestë për të treguar se këtu ka një vullnet të mirë”, u shpreh Veliaj
Ndaj, ai theksoi se marrëveshja e arritur me Zvicrën dhe KiE do ta çojë edhe më tej këtë praktikë për ta kthyer në një standard të përhershëm. “E shoh shumë të dobishme marrëveshjen që po bëjmë sot me qeverinë e Zvicrës dhe KiE për të pasur një platformë konkrete, e cila të kthehet në rregull për Bashkinë e Tiranës dhe mënyrën si konsultohet me qytetarët për vendimmarrje të rëndësishme, referendume, demokraci direkte dhe të gjitha propozimet apo nismat qytetare që vijnë jashtë kontekstit tradicional të bashkive”, shtoi Veliaj.
Ai shtoi se eksperienca që Bashkia e Tiranës realizoi gjatë diskutimeve për Planin e Përgjithshëm Vendor apo edhe për projektin e sheshit “Skëndërbej” të shërbej edhe si një udhërrëfyes për bashkitë e tjera, për të rritur pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje. “Shpresoj shumë që standardi që vendosëm në Tiranë, e them këtë edhe si Kryetari Shoqatës së Bashkive, të jetë një standard që e aplikojmë edhe në bashkitë e tjera, si dhe një shembull që mund të përsëritet sepse besoj që demokracia duhet trajtuar jo si një sport që ndodh njëherë në katër vjet në kutitë e votimit, por si një aktivitet i përditshëm për të ruajtur shëndetin demokratik të vendit dhe të qyteteve tona”, tha Veliaj.
Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës, Claus Neukirch theksoi se demokracia e drejtpërdrejtë brenda një kuadri të përcaktuar mirë do të sjellë një terren të ri për autoritetet vendore, që të rrisin pjesëmarrjen e qytetarëve në vendim-marrje. “Do të doja të theksoja tre elementë që i konsideroj shumë të rëndësishëm në demokraci sepse demokracia nënkupton pushtetin e njerëzve. Elementi i parë është konsultimi: unë shikoj që ju në Tiranë bëni konsultime, pyesni njerëzit që të shprehen për atë që kanë nevojë sepse e di që juve ju intereson ajo që thonë njerëzit që ju rrethojnë, prandaj konsultimi është i rëndësishëm. Elementi i dytë është që qytetarët të marrin përgjegjësi: Ata nuk duhet të interesohen vetëm për kopshtin e tyre, për shtëpinë e tyre, por ata duhet gjithashtu duhet të shikojnë përtej gardhit dhe duhet të marrin përgjegjësi, të inkurajohen për të mirën e përbashkët të qytetit sepse Tirana është qyteti i tyre. Elementi i tretë është aksesi në informacion: është përgjegjësi e autoriteteve që të shpërndajnë informacion për gjithçka ndodh në qytet. Në anën tjetër, është edhe përgjegjësi e njerëzve që të informohen dhe fokusohen te faktet dhe jo të bazohen te konspiracionet dhe thashethemet”, nënvizoi Neukirch.
Ndërsa, ambasadori zvicerian, Christoph Graf, u shpreh se kjo marrëveshje do të rrisë edhe më tej mundësinë e demokracisë së drejtpërdrejtë. “Instrumentet e demokracisë së drejtpërdrejtë si referendumet janë një praktikë e zakonshme në Zvicër. Mendoj se edhe Shqipëria po bën hapa në këtë drejtim”, tha Ambasadori Graf pas nënshkrimit.
Bazuar në këtë memorandum, Bashkia e Tiranës do të punojë me ekspertë zviceranë dhe nga Këshilli i Evropës për të ndërtuar një model të demokracisë së drejtpërdrejtë. I pari i këtij lloji në Shqipëri, ky model do të skicohet nga eksperti zviceran Andreas Gross – një ish deputet dhe aktivist politik. Stafi i bashkisë do të trajnohet mbi konceptin dhe praktikat e demokracisë së drejtpërdrejtë, e cila është një karakteristikë e veçantë e sistemit politik zviceran dhe i lejon qytetarët të ndikojnë aktivisht mbi vendimet dhe politikat.