Në ambientet e shkollës “Fan Noli”, Bashkia e Tiranës nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit e Sportit për projektin e ndërtimit të 17 objekteve të reja arsimore në Tiranë, ndërkohë që 3 shkolla janë në proces ndërtimi, duke e çuar në 20 numrin e tyre.
“Infrastruktura nuk është gjithçka, por gjithsesi infrastruktura është diçka. Të ardhurit në një ambient të pastër, të ardhurit në klasa me hapësirë, të ardhurit në një ambient që ka estetikë, të ardhurit në një ambient që ka kushte minimale të dinjitetit njerëzor sigurisht që e bën më të lehtë misionin për të shërbyer në shkollat, në kopshtet dhe në çerdhet tona”, tha Veliaj.
Ku do ndërtohen shkollat
Në njësinë nr. 2 do ndërtohen dy shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme.
Në njësinë 5 do të ndërtohet një shkollë 9-vjeçare.
Në njësinë 7, një shkollë e mesme.
Në njësinë 8, një shkollë 9-vjeçare dhe një shkollë të mesme.
Në njësinë 9, një shkollë 9-vjeçare dhe një shkollë të mesme.
Në njësinë 11, dy shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme.
Në njësinë Dajt, një shkollë e mesme tek zona e Freskut që është më shumë Tiranë sesa zonë rurale e Dajtit.
Në njësinë Farkë, një shkollë 9-vjeçare pranë zonës së Kopshtit Zoologjik i njësisë 5 sepse është më shumë zonë e njësisë 5 sesa e Farkës
Në njësinë Kashar dy shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë të mesme, kryesisht tek zona e Unazës së Re dhe të Astirit që sërish është më shumë zonë urbane sesa zonë rurale.
“Vetëm në Bashkinë e Tiranës, në mënyrë direkte në të gjithë këto kantiere janë punësuar mbi 10 mijë njerëz dhe dy vende pune për secilin vend që është hapur në ndërtim. Dhe 20 mijë vende pune mbështetëse nga furnitorë dhe nënkontraktojë. Besoj se është kollaj se çfarë ndodh kur projekte si ky i shkollave apo i banesave të subvencionuara injektojnë në ekonomi respektivisht 60 milionë dhe 40 milionë euro në ekonominë e Tiranës”, tha Veliaj.