Lëvizja Vetëvendosje organizoi një konferencë me temën “Plani i Ahtisarit dhe tezat e Vetëvendosjes”, ku drejtues të kësaj partie opozitare numëruan padrejtësitë që besojnë se iu bënë shtetit të Kosovës me Pakon Ahtisari.
Ata kërkuan që të ndërrohet edhe Kushtetuta e Kosovës. Tribuna është mbajtur në 10 vjetorin e protestës ku humbën jetën Arben Xheladini dhe Mon Balaj.
Deputeti Albin Kurti duke folur për mangësitë e Pakos së Marti Ahtisartit, tha se u krijua një fiksim me Pavarësinë si fjalë, shtetin pa e konsideruar në përmbajtjen e saj.
Dhe sipas tij, në krejt pakon e Ahtisarit një herë përmendet fjala ‘shqipja’, ‘te gjuha shqipe’, askund fjala ‘shqiptar’ përveç te fjala ‘komunitetet jo shqiptare’ dhe 37 herë fjala ‘serbe’.
Kurti tha se ishin kritikë para dhjetë viteve se shqiptarët dhe serbët konsiderohen komunitete edhe pse shqiptarët janë mbi 90 për qind e serbët 6 për qind. Pra, ai tha se sipas Pakos së Ahtisariit shqiptarët e Kosovës nuk janë as popull e as komb, sepse njerëzit në Kosovë kjo pako i quan banorë e jo qytetarë. Kurti tha se qytetari është burim i sovranitetit, ndërsa banor është status që mund ta fitojnë edhe refugjatët. Sipas tij, kosovarët po trajtohen si refugjatë në shtëpinë e tyre. Sipas Kurtit janë gjashtë padrejtësi themelore të Pakos së Ahtisarit.
“Gjashtë padrejtësitë themelore që ne i kemi identifikuar atëherë. Dhe e cila paraqet thelbin e kritikës dhe kundërshtimit tonë që merr shprehjen më të mirë në demonstratën e 10 shkurtit të vitit 2007. Padrejtësia e parë është privilegjet për pakicën serbe për shkak se kështu kërkonte Serbia, e dyta është trashëgimia kulturore me 45 zona eksterritoriale me gjithsej qindra hektarë dhe e cila serbizonte dhe fetarizonte kulturën te ne. E treta është decentralizmi që përmban tri të katërtat e Pakos së Ahtisartit. Padrejtësia e katërt është betonimi i sundimit ndërkombëtar, padrejtësia e pestë është pjesëmarrja e Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë, ndërkohë që ne nuk kemi marrë pjesë në suksesionin e Jugosllavisë. Dhe krejt në fund është çështja e shuarjes së TMK-së, në vend se të çarmatoset ushtria jugosllave u çarmatos UÇK-ja”, tha Kurti.
Në këtë tribunë me simpatizantët dhe aktivistët e Lëvizjes, kryetari Visar Ymeri, tha se me Pakon e Ahtisarit kompetencat për sovranitetin e Kosovës mbeten në duar të të huajve dhe Kosova mbeti pa sovranitet, pa demokraci, pa drejtësi, në varfëri, pa shkolla pa punë dhe pa ushtri.
“Ne kërkuam sovranitetin si demokraci, si shoqëria jonë e kombi ynë të kenë po aq sovranitet sa vendet fqinje e sa vendet tjera të botës, as një grimë më shumë dhe as një grimë më pak. Fundi fundit kemi pësuar aq shumë në histori, jemi përpjekur dhe luftuar aq shumë në histori sa që sot ta meritojmë këtë dinjitet dhe këtë liri. Pakoja e Ahtisarit nuk u shqetësua për dinjitetin dhe lirinë tonë. Ajo u implementua dhunshëm, madje, duke e nxitur policinë e OKB-së të vrasë protestues paqësorë. Neve na trajtuan si popull të dorës së tretë, këtë nuk kemi për ta harruar kurrë, por jo se duam të hakërrehemi”, tha Ymeri.
Kryetari i VV-së, Ymeri tha se duhet të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës ngase është shteti më i zymtë në botë.
Ndërsa profesori Sadri Fetiu duke kujtuar protestën e 10 shkurtit ka kërkuar zbardhjen e vrasjes së dy protestuesve.
Për të kujtuar protestën e 10 shkurtit 2007 dhe vrasjen e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt sot Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një varg aktivitetesh. Fillimisht janë bërë homazhe tek varrezat e të rënëve në Prishtinë përkatësisht në Podujevë, si dhe janë bërë homazhe tek vendi i rënies, në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë. Për të kujtuar ndodhitë e para dhjetë viteve po ashtu është mbajtur edhe një ekspozitë me fotografi nga protesta e 10 shkurtit, përgatiti Koha. (b.an)