Tirana do të jetë i pari qytet në Ballkan që do të ketë një plan veprimi për qytetin e gjelbër. Gjatë prezantimit të metodologjisë dhe strategjisë për hartimin e planit për “Tiranën e Gjelbër”, një projekt ky i bashkisë në bashkëpunim me BERZH, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se Tirana do të ketë 2 milionë pemë të cilat do të mbillen duke krijuar një kurorë të gjelbër që do të rrethojë kryeqytetin.
“Ne kemi marrë një vendim shumë të rëndësishëm që do të doja ta zbërtheja në projekte të implementueshm e për të mbjellë 2 milionë pemë deri në vitin 2030 në Tiranë. Ne jo vetëm kemi buxhetuar vetë, pasi është hera e parë që një bashki heq një shumë të konsiderueshme mënjanë vetëm për të nisur një projekt të madh gjelbërimi. Vetëm dje ne kemi çuar 2000 kërkesa në të gjithë bizneset kryesore në Tiranë që të sponsorizojnë segmente të caktuara të pyllit orbital dhe ambicia jonë është që në 14-15 vitet e ardhshme, 2 milionë pemë të jenë kthyer në një fashë oksigjenuese për qytetin e Tiranës”, tha ai.
Kreu i Bashkisë deklaroi se janë marrë disa vendime të rëndësishme për kufizimin e ndërtimeve në Tiranë.
“Ne trashëguam një plan urbanistik i cili konceptonte një qytet për 4.5 milionë banorë. Ta quash fantashkencë është pak, ta quash hile është e saktë, një hile për të dhënë leje të caktuara jashtë logjikës së densitetit të qytetit. Sot kemi marrë prapë një vendim politik, pavarësisht presionit që kemi për ndërtime në Tiranë, vendimi është që qyteti deri në 2030 do të rritet me 1.5 milionë banorë, do të thotë që edhe kontraktorëve do u kërkojmë për projekte të këtyre përmasave dhe jo për gjëra që për të justifikuar disa veprime të gabuara. Ky është një vendim që tashmë e kemi marrë, nuk kthehemi pas, por ajo që duam të dimë nga konsulenti është si ta përkthejmë këtë në copëza të implementueshme dhe segmente të implementueshme të këtij projekti ambicioz që ne kemi”, tha Veliaj. /b.d