Nuk ka pasur ndonjëherë më parë gjuhë më të drejtëpërdrejtë nga një diplomat amerikan në vendin tonë. Me një shqipe të pastër që s’ka nevojë për përkthim, Donald Lu nuk i bie dritares të dëgjojë porta, por flet gjuhën që duhet të kuptojë dhe shqiptari që jeton në zonën më të thellë…
“Si ambasador jam i angazhuar të mbështet përpjekjet e popullit shqiptar për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe ta bëjmë Shqipërinë një aleat të fuqishëm në NATO”. Kështu shprehej Donald Lu me një shqipe të pastër, që e mësoi në një kohë rekord pasi mori emërimin si ambasador në Tiranë. Në videon prezantuese të xhiruar para se ai të shkelte në Tiranë, ambasadori i ri foli shqip si për të paralajmëruar shqiptarët se ai ishte nga ata që do t’u fliste atyre, se donte të kuptohej prej tyre. Lu e mori detyrën me sigurinë e “vëllait të madh” që e ka mbrojtur dhe është kujdesur për vëllain e vogël, por kuptoi se ata me të cilët duhej të bashkëpunonte nuk ishin zyrtarët e kollarisur të shtetit dhe as kryetarët e partive, por njerëzit e thjeshtë.
Dhe ashtu ndodhi.
Jo vetëm me shqipen e pastër që e bën të lehtë komunikimin me çdo shqiptar pa rënë pre e “lost in traslation” (humbjes në përkthim) por edhe me gjuhën e drejpërdrejtë, pa dredha, ai u foli jo vetëm politikanëve dhe zyrtarëve por dhe njerëzve, që të kuptohej deri tek ai fshatari që e dëgjon në zonën më të thellë të vendit.
Lu krijoi aleancën me qytetarët. Reforma në Drejtësi u sqarua që në nisje: kjo do të jetë reforma që do të pastrojë gjykatat nga të korruptuarit. Qytetarët e duan këtë; por jo krerët e sistemi, ata që e mbajnë në këmbë këtë sistem.
Duke dalë nga kostumi i diplomatit klasik, të cilit i duhet “përkthim” për t’i dëshifruar mesazhet, Lu ka provokuar sot që të nxjerrë zbuluar ata që nuk e duan gjuhën e tij dhe qëndrimet e tij.
Të jesh anti-amerikan në Shqipëri është gati herezi dhe Adriatik Llalla u vu sot në këtë pozitë prej Lu-së. Ambasadori nuk zgjodhi metodën e hedhjes së mesazheve për veshët e kryeprokurorit apo ndonjë politikani që ata t’a kuptonin, populli jo, dhe asgjë të mos ndryshonte, siç ka ndodhur më parë. Jo. Ai foli me emra dhe me akuza konkrete; “Prokurori i Përgjithshëm është kundër reformës në drejtësi. Për më shumë se 18 muaj ka folur kundër reformës. Në nëntor dhe dhjetor prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterëve të ILDKPI, që është thelbësor për Vettingun. Të premten e shkuar, siç kërkohet nga Kushtetuta e re, u hodh shorti për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që do të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit. Shorti u drejtua nga sekretarja e Kuvendit, bazuar në Kushtetutë. Por prokurori i Përgjithshëm solli një liste vetëm me 3 anëtarë. Kushtetua përcaktonte se anëtarët duhet të përzgjidheshin me short, dhe secili solli listat më të gjata për këtë pozicion. Në dallim me to, prokurori i Përgjithshëm zgjodhi vetëm 3 emra, përzgjedhur pa preferencë për të plotësuar 3 poste”.
Më parë ambasada i kishte refuzuar vizën amerikane kryeprokurorit.
Qëndrimet pa dorashka të Lu-së nuk po nxjerrin zbuluar vetëm kryeprokurorin. Duket se dhe presidenti Nishani është në një pozitë të vështirë. Ai refuzoi sot të takonte ambasadorin Lu, duke krijuar një precedent në marrëdhëniet zyrtare mes dy vendeve.
Gjithashtu, këto kohë shumë zëra mediatikë shkruajnë kundër Lu-së ose fondacionit amerikan Soros që operon në vend. Disa portale që njihen si të afërta me PD-në apo LSI-në e Ilir Metës, po bëjnë çdo ditë lajme kundër ambasadorit amerikan dhe ndërhyrjes së tij të fortë për realizimin e Reformës në Drejtësi. Këto media e quajnë shantazh qëndrimet amerikane pro-reformës me çdo kusht apo anullimin e vizave të gjyqjtarëve të përfolur për korrupsion.
Ambasadori amerikan në Shqipëri nuk ka akses vendimarrës; atë e kanë institucionet e zgjedhura nga ne dhe politikanët e zyrtarët e zgjedhura nga ne. Por, një gjë është e qartë: SHBA dhe amerikanët që kanë shërbyer në këtë ambasadë, nuk kanë pasur interes tjetër përveç interesit të popullit shqiptar që të ketë atë që meriton çdo popull; një klasë politike të ndershme; institucuione të forta dhe pandëshkueshmëria e të fortëve dhe të korruptuarve të marrë fund. Në fund të fundit kjo dëshirë e tyre përputhet dhe me dëshirën e pjesës më të madhe të shqiptarëve, por sigurisht që “bisha” nuk mund të ngordhë kaq lehtë, do të turbullojë ujin dhe do të lëshojë klithma. /tesheshi.com/b.d