NATO po ndihmon qeveritë e Ballkanit Perëndimor që të ndërtojnë organet e mbrojtjes dhe inteligjencës, në mënyrë që t’iu rezistojnë ndikimeve politike, veçanërisht nga Rusia, ka thënë sot në Sarajevë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Stoltenberg tha se aleanca është në dijeni të ndikimit të rritur rus në Ballkan dhe intervenimin rus në porceset politike në Mal të Zi.
“Jemi duke i përcjellë këto nga afër. Ne punojmë me partnerët tanë, përfshirë Malin e Zi, që t’iu ndihmojmë atyre t’i forcojnë kapacitetet e inteligjencës dhe institucionet e mbrojtjes”, ka thënë Stolteneberg.
Mali i Zi pritet që t’iu bashkohet NATO-s këtë vit, gjë që kundërshtohet fuqishëm nga Rusia. Vitin e kaluar, autoritetet malazeze e akuzuan një grup serbësh dhe rusësh për planifikimin e një puçi gjatë zgjedhjeve të 19 tetorit, në mënyrë që t’i ndihmonin një aleati opozitar që të vinte në pushtet.
Qeveria ruse e ka mohuar përfshirjen.
“Mënyra më e mirë për ta rritur rezistencën ndaj çfarëdo ndikimi të jashtëm apo politik, është që të sigurohemi se institucionet në vendet e ndryshme të Ballkanit janë të forta, modernizuara dhe reformuara”, ka thënë Stoltenberg. /a.m.
Kreu i NATO-s nesër do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.