Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka qenë sot i ftuar në emisionin e mëngjesit në News24 “Koha për t’u zgjuar” me gazetarin Bashkim Hoxha ku ka folur për problemet e kryeqytetit dhe banorëve të Tiranës, duke nisur nga uji, strehimi, transporti, pastrimi etj. Veliaj dha një lajm të mirë për familjet në nevojë që duan të përfitojnë nga kreditë e buta, duke deklaruar se procesi mund të nisë në pranverë dhe se do të merren parasysh edhe aplikimet e bëra në vite. Po kështu ai foli edhe për risitë në transportin publik.
Ka ankesa për transportin publik, çfarë po bëhet?
Kemi disa risi këtë vit. Siç është patenta për qytetarin ashtu do jetë edhe për kompanitë. Nëse humbet pikë do humbësh edhe mundësinë për të qenë në shërbim të qytetarëve.
Futja e disa linjave të reja është një tjetër mundësi. Kur kam qenë i ri zona e Kasharit ka qenë fshat, ndërsa sot nuk është më, ka 20 mijë banorë. Është futur një linjë e re, ndoshta më e mira. Riintegrimi i zonave rurale është tjetër risi. Gjithashtu edhe zgjatja e linjave ekzistuese.
Futja e biletës elektronike këtë vit do jetë risia më e mirë. Do ketë shërbim më të mirë dhe transparencë.
Në Kombinat qytetarët ankohen për parkun që është atje, nuk ka stola dhe mungesa e pastërtisë në këtë zonë…
Ne sot do të hapim një park të ri, mes Kombinatit dhe pallatit me shigjeta. E gjithë rruga e Kombinatit këtë vit do ketë një proces rehabilitimi. E ka gjithë zona Kombinat-Sharrë, rruga, sistemi i pastrimit. Ne kemi filluar me qendrën e Tiranës me pastrimin ku kompania publike e qytetit po ofron një shërbim shumë herë më të mirë se kompanitë private.
Si po shkojnë punimet në sheshin Skënderbej?
Po shkojnë shumë mirë, ka më pak kontestime se sa kisha menduar. Sot jemi në fazën ku kemi filluar transportin e pemëve. Kanë ardhur pjesa më e madhe e pllakave, nga Çamëria, Manastiri, nga Tropoja, etj. Kemi mbaruar parkingun nëntokësor, kemi filluar me sistemin antizjarr, elektrik.
Po me bulevardin e ri çfarë po bëhet?
Kemi filluar shtrimin me pllakë dhe mbjelljen e pemëve për 500 metrat e parë.
Parkingu në Tiranë, u bë një riorganizim pak kohë më parë…
Brenda muajit shkurt ne do fillojmë pagesën me telefon për parkimin. Është një numër ku do të telefonohet ose dërgohet sms dhe jepet targa dhe në këtë mënyrë bëhet pagesa elektronike. Parkimi publik nuk ka vetëm të mirën që sjell të ardhura për të paguar, por edhe gjen parkim për qytetarin.
Po me kreditë e buta për strehimin?
Është një projekt që po bëhet për herë të parë në Bashkinë e Tiranës. Me të drejtë Ministria e Zhvillimit Urban e ndërpreu projektin për shkak të korrupsionit, sepse kreditë i merrnin deputetët, gardistë të 21 janarit, drejtorë të bashkive. Por pas shlyerjes së detyrimeve ne e morëm sërish këtë projekt.
Ne jemi duke bërë një udhëzim se si do të procedohet që të sigurohemi që aplikimet e bëra në vite të jenë të vlefshme, pastaj do kemi një garë mes bankave, kush të sjellë ofertën më të mirë. Ne do të targetojmë çiftet e reja, familjet e reja. Besoj se në pranverë do jemi gati.
Problemi i ujit të pijshëm, çfarë po bëhet për ta përmirësuar këtë shërbim?
Dje kishim një analizë të UKT, kemi shkuar drejt përmirësimit. Kemi lidhur kontrata të reja. Më parë mjaftonte një kryetar i komunës, e lidhje ujin pa sahat. Jemi dy herë më mirë se ç’kemi qenë por dy herë më keq se ç’ëndërroj unë që të jemi.
Surpriza e Veliajt për Bashkim Hoxhën
Pas intervistës në studio, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i ka bërë një surprizë të këndshme gazetarit Bashkim Hoxha. Veliaj i ka dhuruar Hoxhës një libër me rastin e ditëlindjes. “Meqë ne të dy gjithmonë shkëmbejmë dhurata për ditëlindje, të kam sjellë një dhuratë, një libër”, tha Veliaj.
Dhe në fakt bëhet fjalë për një dhuratë të veçantë. Veliaj shpjegoi se është libri i shkruar nga gjyshi i bashkëshortes së tij, Jakov Xoxa. “Në fakt është një dhuratë nga Ajola. Është romani “Lulja e Kripës” nga Jakov Xoxa. Unë ju uroj shëndet e mbarësi”, ka uruar Veliaj live gazetarin Hoxha.
ma.me