Në vend të shenjës që i identifikon si ushtarë të një njësie të caktuar të Armatës së Zvicrës, ata kanë vendosur shenjën (badge/bexhin) me portretin e Skënderbeut dhe me flamurin kombëtar shqiptar. Me këtë pamje kanë postuar fotografitë e tyre në rrjetet sociale disa ushtarë të Zvicrës me prejardhje shqiptare, në Airolo, Kantoni Ticino.
Mediat zvicerane (20 minuten, blick.etj) e kanë publikuar këtë pamje dhe janë marrë me rastin, duke konsultuar një zëdhënës të Ushtrisë së Zvicrës, transmeton albinfo.ch. Ai ka pohuar se raste të tilla kur në vend të shenjës zyrtare ushtarët vendosin diçka personale janë të njohura dhe ndodhin shpesh. Por ai ka thënë se një ndryshim i tillë i uniformës nuk është i lejuar. “Në uniformat ushtarake të Zvicrës ushtarët guxojnë të vendosin ekskluzivisht vetëm shenjat zyrtare të njësisë ku veprojnë”, ka thënë zëdhënësi Daniel Reist, përcjell albinfo.ch
Megjithatë, ai ka thënë se bëhet fjalë për një shkelje të lehtë dhe se ata që e kanë bërë do të marrin ndonjë dënim disiplinor.
Pak muaj më parë mediat zvicerane kishin marë në fokus disa ushtarë dhe ushtare me prejardhje shqiptare që ksihin bërë shenjën e shqiponjës me duar.