Një fëmijë shtatë vjeçar nga Siria i cili është diagnostikuar me kancer, mund të mos i lejohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marrë mjekimin aq shumë të nevojshëm pas dekretit të ndalimit të emigracionit të firmosur nga Presidenti Donald Trump.
Jihad Al-Khaled, babai i vogëlushit, i ka drejtuar një apel emocionues presidentit Trump, duke i kërkuar që “të ketë mëshirë” për djalin e tij, në mënyrë që ai të marri trajtimet e nevojshme dhe të ketë mundësi të jetojë një jetë normale.
Siç raporton Daily Mail, Al- Khaled është shprehur se e kishte dërguar raportin mjekësor të të birit në shumë ambasada të huaja dhe asnjë prej tyre përveç asaj të Amerikës nuk i kishin kthyer përgjigje pozitive për pajisjen me vizë, në mënyrë që të bëhej e mundur marrja e trajtimeve të nevojshme.
“E gjithë bota e ka braktisur Sirinë dhe gjithçka që më intereson për momentin është sigurimi i trajtimeve të nevojshme për djalin tim. I lutem zotit Trump të ketë mëshirë për këta fëmijë”, është shprehur i ati i djalit. /noa/a.k