Reagimet nga Europa pas urdhrit presidencial për ndalimin e udhëtimit të udhëtarëve nga 7 vende myslimane janë kritike. Por jo të gjitha vendet anëtare shprehen kundër Donald Trump. Rreth 300 vetë demonstruan kundër Donald Trump pranë bursës së Brukselit. Ndërsa tre kilometra më tutje e ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Federica Mogherini, nuk u përmbajt shumë nga ana diplomatike.
Për presidentin, Donald Trump ajo kishte këtë këshillë: „Kush ngre rreth vetes mure, gjendet një ditë vetë në burg.” Pas takimit me ministrin e Jashtëm norvegjez, Börge Brende ajo u shpreh lidhur ndalimin e hyrjes në SHBA për udhëtarët nga 7 vende kryesisht me popullsi myslimane se „kjo nuk është rruga europiane”.
Më tej ajo shtoi se „BE beson në një sistem normash dhe rregullash ndërkombëtare.” Historia e Europës ka treguar se izolimi dhe distancimi janë përgjigje të gabuara. „Ne festojmë kur rrëzohen muret dhe ngrihen ura”, tha ajo.
Juncker: Mes kthimit pas dhe së ardhmes
Më parë zëdhënësi i Komisionit Europian, Margaritis Shinas ishte shprehur, se KE është në kontakt me kolegët dhe partnerët në Uashington, për të sqaruar, nëse dhe se si preken nga ky dekret i ri qytetarët europianë. Ende nuk dihet, se si do të veprohet në aeroportet amerikane me qytetarë europianë, të cilët kanë dy pasaporta, dhe njëra prej tyre është e 7 vendeve që ndodhen në listën e Trumpit. Në faqen e facebook-ut të ambasadës amerikane në Berlin u publikua një shënim, në të cilin thuhet, se edhe personat me nënshtetësi të dyfishtë do të preken nga ndalimi i përkohshëm i hyrjes në SHBA. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Berlin tha se kjo mund të prekë mijëra qytetarë gjermanë.
Zëdhënësi, Margaritis Schinas, i cili flet në emër të presidentit të KE-së, Jean-Claude Juncker nuk donte ta komentonte politikisht dekretin. Ai iu referua një artikulli që Juncker publikoi në fundjavë në gazetën gjermane „Die Welt” ku ai shkruan se tani „kemi zgjedhjen mes izolimit, pabarazisë, egoizmave kombëtarë dhe hapjes ndaj botës, drejtësisë sociale dhe unitetit, kemi zgjedhjen mes kthimit pas dhe të ardhmes, mes mendjengushtësisë dhe Europës.”
Ndërkohë nga KE nuk ka plane për ndalimin e vizitës së presidentit amerikan në Bruksel përmes një peticioni, ndërkohë që në Britaninë e Madhe në një peticion-online janë mbledhur qindra-mijëra firma për të penguar vizitën e presidentit amerikan. Kryeministrja britanike, Theresa May megjithatë është shprehur, se vizita do të zhvillohet, Trump është i ftuar dhe se ai ka premtuar ardhjen në Londër.
“Lidhja speciale” SHBA-Britani e Madhe dhe reagimet nga Lindja
Qeveria britanike thekson me dëshirë „lidhjen e veçantë” me SHBA. Sipas ministrit të Jashtëm, Boris Johnson ai ia ka dalë mbanë, që të bëhet një përjashtim për qytetarët britanikë, të cilt zotërojnë një pasaportë nga shtatë vendet e përjashtuara nga hyrja në SHBA, si Siria, Iraku, Irani, Somalia, Jemeni, Libia dhe Sudani.
Dy ministra të Jashtëm europianë, ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, dhe ai gjerman Sigmar Gabriel shprehën shqetësimin për “urdhrin ekzekutiv”. “Tani kemi nevojë për qartësi, unitet dhe në rast nevoje edhe fuqinë për të mbrojtur vlerat tona, vizionin tonë për botën dhe interesat franceze, gjermane dhe europiane”, thanë Ayrault dhe Gabriel në Paris.
Por reagimet e BE-së nuk janë unifikuara. Presidenti çek, Milos Zeman lëshoi një deklaratë, ku ai thotë, se presidenti Trump mbron vendin e tij. “Ai është i shqetësuar për sigurinë e qytetarëve të tij. Pikërisht këtë nuk e bëjnë elitat në BE.” Edhe ministri i Jashtëm polak Witold Waszczykowski nuk donte ta kritikonte ndalimin e udhëtimit, duke theksuar se çdo shtet lejohet t’i vendosë vetë rregullat për imigrimin. Polonia aktualisht refuzon pranimin e refugjatëve dhe azilkërkuesve, sipas një vendimi të BE-së për shpërndarjen e refugjatëve nga Greqia dhe Italia.
DW
ma.me