Reforma në drejtësi, mbetet guri më i rëndësishëm i themelit jo vetëm për krijimin e shtetit të së drejtës, por edhe për një kthesë të madhe në procesin e integrimit të Shqipërisë, deklaroi të hënën ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha. Sa më i shpejtë të jetë zbatimi, aq më shumë shkurtohet rruga për aspiratën tonë europiane, theksoi ajo.
Duke marrë fjalën në një konferencë kushtuar reformës në sistemin e drejtësisë, organizuar nga Fakulteti i Drejtësisë, ministrja e Integrimit e cilësoi reformën, çelësin e transformimit të shoqërisë sonë, nga një shoqëri që për dy dekada kishte humbur besimin tek sistemi, në një shoqëri që është e vetëdijshme se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.
“Ky transformim e bën më shpejt të mundur integrimin, sepse për tu integruar në familjen e madhe europiane, ndryshimin duhet ta nisim nga vetja”, tha Gjosha.
Ministrja u shpreh se partnerët ndërkombëtarë, i shohin rezultatet e kësaj reforme si testin më të mirë që Shqipëria ka përpara, për të dëshmuar standarde në forcimin e demokracisë në vend.
“Këto rezultate do ta bëjnë gjithashtu vendin tonë, një vend më të besueshëm për investitorët, ç’ka tregon se efektet e reformës janë gjerësisht të prekshme nga qytetarët, për sa kohë çdo investim i huaj në vend do të thotë më shumë zhvillim dhe mundësi punësimi për ta”, tha Ministrja.
Reforma në drejtësi, shtoi ajo, i jep udhë zgjidhjes së një sërë problemesh me çështjet e pronës, të cilat kanë qenë kushte të vendosura nga BE për të çuar përpara procesin e integrimit.
“Ne jemi të vetëdijshëm, që e gjithë paketa ligjore do të kërkojë kohën e saj të zbatohet, ndaj nevojitet vullneti më maksimal i të gjithë aktorëve, në mënyrë që të kapërcehen pengesat e panevojshme”, tha ministrja e Integrimit. /b.d