Hetimet për vrasjen më 15 janar të Refit (Jetnor) Toros janë fokusuar te personat, që dyshohet se e kanë nxjerrë atë në pritë.
Gjithashtu, te materialet e mundshme që mund të gjenden në celularin e tij “iPhone”, që për momentin policia e ka të pamundur ta zhbllokojë.
Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se ende nuk kanë të dhëna konkrete në lidhje me autorët e mundshëm të vrasjes së Toros, por paraprakisht dyshohet se ai është nxjerrë në pritë.
Dyshimi kryesor ka të bëjë me larjen e hesapeve, për shkak të përfshirjes në grupet kriminale të trafikut të drogës.
Grupi hetimor ndërkaq nuk po mundet të çkodifikojë celularin e viktimës, në të cilin mund ta gjenden të dhëna që do t’i shërbente identifikimit të autorëve dhe orientimit të hetimorëve në pista të tjera të mundshme. Gjithsesi, pista kryesore ku janë fokusuar hetimorët janë pazaret e drogës.
“Duhet bërë një kërkesë te kompania ‘Apple’ për dhënien e kodeve të telefonit dhe zhbllokimin e aparatit celular për të hyrë në të dhënat e shtetasit Refit Toro.
Në këtë mënyrë, ndoshta do të jetë një ngushtim i hetimeve dhe një përqendrim më i saktë në pistën që do të na çojë tek autorët”, u shprehën burimet.
Aktualisht, të vetmet të dhëna që mund të verifikohen nëpërmjet kompanive tona celulare janë thirrjet dhe mesazhet e 32- vjeçarit.
Ngjarja ndodhi më 15 janar rreth orës 18:00, në zonën e Skelës, në fund të Rrugës Transballkanike. Autori, i cili ka kryer krimin, dyshohet se e ka ndjekur çdo lëvizje të Refit Toros.
Për këtë shkak, policia verifikoi itinerarin që ka pasur viktima nga ku, nëpërmjet kamerave të subjekteve, është studiuar nëse mjeti ka qenë në ndjekje, por për efekt hetimi nuk bëhen të ditura të dhënat e konstatuara.
Sipas dëshmive, por edhe pamjeve të kamerave të sigurisë, Toro ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij “Mitsubishi”, me targë AA 606 ID, në bulevardin Vlorë– Skelë. Pasi ka bërë rrethrrotullimin në zonën e Skelës, ai ka ecur në rrugën përballë universitetit për t’u kthyer sërish në fund, përballë një karburanti.
Ka ndaluar disa metra larg karburantit dhe ka qëndruar për rreth 20 minuta në makinë të pozicionuar dyshe dhe e paparkuar plotë- sisht. Në momentin kur është qëlluar, ai ka qenë duke biseduar në telefon.
Autori ka nxjerrë më parë nga mjeti mikun e tij. Në kamera shihet qartë teksa e nxjerr me armën te koka me forcë dhe më pas qëllon shënjestrën./Panorama/b.d