Ish-zëvendësministri demokrat i Financave Sherefedin Shehu deklaron se marrëveshja trevjecare e qeverisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dështoi.
“E para, në vend që të ulej varfëria, ajo është rritur. E dyta stabiliteti fiskal që ka qenë një ndër objektivat kryesore nuk është arritur”, shprehet ai.
Zoti Shehu, i cili është zëri i parë nga opozita që komenton për mbylljen e programit tre vjeçar me FMN-në, thotë se në 2013-ën Fondi ra në grackën e qeverisë thjesht për hir të nënshkrimit të marrëveshjes.
“Kemi një rritje me 10 për qind të borxhit publik ndërkohë që detyrimet e prapambetura që u shlyen janë vetëm 3 për qind”, thekson ai.
Por Anastas Angjeli, ish-ministër i Financave e quan marrëveshjen një sukses, që sipas tij ndali rrënimin financiar të Shqipërisë dhe riktheu rritjen ekonomike.
“Treguesit dhe situata ekonomike dhe ajo financiare dëshmojnë se përgjithësisht kjo marrëveshje u përmbyll me sukses duke arritur objektivat e caktuar”, shprehet Angjeli.
Sipas Angjelit pas zgjedhjeve Shqipëria do të hyjë në një marrëveshje të re me FMN, por këtë herë me objektiva të reja
“Kjo marrëveshje e re që do të nënshkruhet pas shtatorit, pas stabilizimit të ekonomisë duhet të fokusohet tek politikat e zhvillimit”, shton Angjeli.
Vetë shefja e FMN e konsideroi si të suksesshëm programin trevjeçar në Shqipëri duke deklaruar se Fondi është i gatshëm për një marrëveshje të re nëse do të ketë ftesë nga qeveria./tch/a.k