Tension, klimë e thellë mosbesimi dhe ndarje në kampin opozitar. Aleatë tradicionalë të Partisë Demokratike shprehin dyshime të forta mbi mundësitë dhe kapacitetet e Lulzim Bashës dhe rrethit të tij, për ta rikthyer opozitën në pushtet.
Pesë muaj para zgjedhjeve parlamentare, krerët e gjashtë partive aleate të Partisë Demokratike, nuk konfirmojnë koalicionin me partinë më të madhe në opozitë, ndërsa paralajmërojnë mundësinë e daljes më vete në zgjedhjet e 18 Qershorit.
Kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Sulejman Gjana, kreu i Partisë së Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, kryetari i Aleancës Demokratike, Eduart Abazi, kryetari i Partisë Kristian Demokrate, Dhimiter Muslia, kreu u Partisë Demokracia e Re Evropiane, Koci Tahiri si dhe kreu i Partisë për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë, Rivelino Çuno, gjatë një mbledhje për çështjen e aleancave, kanë paralajmëruar ndarjen me Partinë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme.
Shqiptarja.com ka mësuar se të pranishmit kanë shprehur dyshime të forta mbi mundësitë e Lulzim Bashës për ta çuar të djathtën drejt fitores, duke vënë në pah mentalitetin humbësit, viktimës dhe të hileqarit në raport me aleatët.
Po ashtu, kreu i PLL, Sulejman Gjana, ka pohuar se disa segmente të Partisë Demokratike po punojnë për humbjen e opozitës në zgjedhjet e përgjithshme. Gjana duket se i është referuar deklaratave të ditëve të fundit të nënkryetarit të PD, Edmond Spaho, i cili zbuloi skemën e PD kundër kryetarëve të partive të vogla. Ky plan i Lulzim Bashës duket se ka ndikuar në tensionimin e klimës me partive aleate dhe Partisë Demokratike. Ndaj deklaratës së Spahos kanë reaguar edhe krerët e partive të tjera aleate, si Fatmir Mediu dhe Dashamir Shehu, të cilët u zgjodhën deputetë në listat e Partisë Demokratike. Megjithatë, këta dy të fundit pritet të rreshtohen në koalicionin e drejtuar nga PD.
Që pas dorëheqjes së Sali Berishës, raportet e Partisë Demokratike me aleatët tradicionalë, ballistët dhe zogistët, kanë qenë konfiktuale. Madje, në pamundësi për ta futur në rresht, muaj më parë, pati një tentativë për të marrë kreun e Partisë Lëvizja e Legalitetit, por përpjekja rezultoi e pasuksesshme. Ndërkaq, disa ditë më parë, kreu i PBK, Adriatik Alimadhi, ka akuzuar Partinë Demokratike se nuk ka respektuar asnjë marrëveshje.
Alimadhi ka deklaruar se partia që ai drejton nuk do të jetë pjesë koalicionit të Partisë Demokratike. “Vendimi tjetër i kryesisë është se duke parë që votat na i kanë vjedhur historikisht kryesia e PBK ka vendosur për të bërë një politikë të pavarur duke respektuar kërkesat e ligjit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe për këtë strukturat në të gjitha nivelet kanë marrë të gjitha përgjegjësitë për të përballuar me sukses fushatën e zgjedhjeve të 18 Qershorit”, ka deklaruar Alimadhi.