Kandidatja për presidente e Francës, Mari Le Pen, ka deklaruar se francezët gjatë jetës së tyre të përditshme duhet të përdorin monedhën e tyre kombëtare.
“Francezët duhet ta përdorin valutën e tyre kombëtare në jetën e përditshme. Francezët duhet të kenë valutën e tyre në kuletat e tyre. Njëlloj sikurse në të kaluarën, midis kompanive mund të përdoret valuta e përbashkët si Ecu.
Kjo valutë nuk duhet medoemos t’u interesojë francezëve. Këtë mund ta përdorin shtetet dhe kompanitë e mëdha”, është shprehur Le Pen gjatë një interviste për radion Euro-1.
Gjithashtu ajo ka thënë se kalimi në monedhën e përbashkët Euro, ka qenë i pasuksesshëm pasi monedha sjell vetëm pengesa për konkurrencën ekonomike dhe kjo gjë bën që të rritet numri i papunësisë.
Zgjedhjet presidenciale në Francë do të zhvillohen me dy raunde gjatë muajit prill dhe mars, ku sondazhet e tanishme tregojnë se Le Pen do të kalojë me lehtësi në raundin e dytë të votimeve. (b.an)