Deputeti demokrat Astrit Patozi ka kërkuar sot që hapja e dosjeve të nisë nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Patozi i ka kërkuar Ilir Metës që ti drejtohet Komisionit të Dosjeve me qëllim që lustracioni të nisë nga Kuvendit.
“Të hapen dosjet për 140 deputetë e Shqipërisë dhe më pas administratës. Sigurisht kryetari i Kuvendit nuk e ka detyrim, por ligji nuk e pengon, flas në emrin tim personal. Duhet të zbardhet e kaluara, ligji për hapjen e dosjeve të shoqërohet edhe me lustracionin.
Ne duhet të ndahemi me të kaluarën komuniste. Kjo, ka lidhje edhe me zgjedhjet, sepse nisja e transparencës nis nga parlamenti, me të kaluarën mund t’u mbyllte rrugën atyre që mund të rezultojnë të ftohur nga hapja e dosjeve.
Ligji nuk e ndalon që të jenë në Kuvend, më duket ‘non sens’, pasi po heqim mandate për ata që janë kapur me patenta false dhe jo për ata që kanë spiunuar gjysmën e Shqipërisë, por nëse dalin emrat besoj që nuk do të kandidonin.
Ish- bashkëpunëtorët e sigurimit që mund të binin tani në site, mund të dekurajonin edhe të tjerët që pretendojnë të hyjnë, por edhe të tjerë që janë. Do të sensibilizonte edhe kryetarët e partive tona, që para se ta firmosin ta dërgonin te Gena Sula, se mbase ngecte ndonjëri në rrjetë. Por mbi të gjitha do të shërbente si model për instiucionet e tjera, qofte edhe private, që këtë ta aplikonin edhe institucione të tjera. Ligji nuk e pengon një ish-bashkëpunëtor të sigurimit të qëndrojë në detyrë, por publiku duhet ta marrë vesh.
Po marr mediat, kanë nevojë për një transparencë të plotë, pasi ka fjalë që disa nga bajlozët e mediave kanë 27 vite me radhë që shesin moral dhe që mund të jenë të zhytur në llumin e bashkëpunimit me sigurimin e shtetit. Shpresoj që edhe cdo gazetar, analist dhe opinionist të kalojë në sitën e këtij autoriteti dhe kush është i ndyrë të ndahej nga kjo.
Ftoj Metën të aplikonte në emër të parlamenti për ta filluar hapjen e dosjeve te 140 deputetët e Shqipërisë”-tha Patozi. /b.d