Nga Ardit Rada
Kreu i LSI nën cilësinë e postit shtetëror që mban i është drejtuar Presidentit me një kërkesë të pazakontë. I raportuar si lajm i ditës, Ilir Meta ka bërë thirrje sot për një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare me temë raportimin se ç’është bërë deri më sot për kapjen e trafikantit Klement Balili.
Vetëm pak muaj më parë, në nëntor të vitit 2016, Bujar Nishani mblodhi pikërisht Këshillin në fjalë pas një sinkroni me Lulzim Bashën se gjendja e kultivimit të kanabisit në vend është alarmante dhe shqetësuese për partnerët. Edhe pse mbledhja erdhi paralelisht me vlerësimin nga Komisioni Evropian për luftën e qeverisë ndaj kanabisit, Ilir Meta e kishte të gjithë mundësinë që ta ngrinte çështjen e Balilit pikërisht në atë tryezë.
Kjo sepse së pari Balili atë ditë mbushte plot 6 muaj në arrati. Së dyti, cilësimi si “Eskobar” i eksponentit të LSI-së dhe të veshur me pushtet në Sarandë përbënte në ato momente pikërisht mungesën e bashkëpunimit të anëtarëve të Këshillit të Sigurisë. Pra, nëse kishte diçka për të diskutuar në tryezën e thirrur me arrogancë, pyetja e parë do të ishte: Përse Policia, Prokuroria dhe SHISH nuk janë koordinuar për kapjen e elementit në fjalë që njëkohësisht ishte Drejtor i Transportit të Sarandës?
“Nuk ka nevojë të lodhesh Sali! Atje ku është Meta e dinë se të kujt janë Balilajt”, shkruante Spartak Ngjela muaj më parë. Arsyet se përse Ilir Meta nuk e hapi këtë temë në mbledhjen e nëntorit mund të jenë të shumta, por duket se sot kreu i LSI, i ndodhur nën presion parazgjedhor, kërkon të vrasë dy zogj me një gur. Letra drejtuar Nishanit dhe që ‘rastësisht’ u zbulua nga mediat mund të ketë si qëllim që të acarojë Ramën duke ia pasuar “topin” ekzekutivit si fajtor për moskapjen e Balilit. Teksa partnerët ndërkombëtarë e mbajnë refren Eskobarin, letra i shërben LSI-së si një larje duarsh si Pons Pilati duke u distancuar nga ish-zyrtari i saj.
I gjithë thelbi i kërkesës për mbledhje ishte mosveprimi i insitucioneve sipas Metës. Thirrja drejtuar Nishanit mund të shihet edhe si manovër për ta tërhequr Presidentin në një “sherr” me qeverinë. Apo mund të jetë një koordinim mes të dyve për të rihapur debatin për kanabisin. Në morinë e flirteve LSI-PD, qëllimi final duket se është që të tregojnë se: Ne dy krerët më të lartë të shtetit po merakosemi për “Balilajn” ndërsa i treti, Rama, po hesht.
Dhe meqenëse me shumë gjasa Këshilli i Sigurimit do të mblidhet, po për Nuel Kalajn a do të thoni ndonjë fjalë? / JAVANEWS