Kryetari i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ishte sot i ftuar në një bisedë me studentë dhe pedagogë. Shehi, një nga politikanët e parë të viteve ’90, foli për rrugëtimin e tranzicionit shqiptar, politikën aktuale dhe mundësitë e opozitës për t’u kthyer në pushtet.
Dashamir Shehi ishte pjesë e qeverisjes së parë të Partisë Demokratike në vitin 1992 dhe sot vazhdon të militojë në radhët e koalicionit opozitar me partinë e tij Lëvizja për Zhvillim Kombëtar. I ftuar në një bisedë të hapur me studentë dhe pedagogë, ai foli mbi temën; “E djathta dhe zgjedhjet e Qershorit”.
Shehi tha se opozita e djathtë i ka të gjitha mundësitë për të fituar zgjedhjet, por foli me rezerva për lidershipin e ri të saj, Lulzim Bashën, kryesisht për raportet e tij me paraadhësin e tij, Sali Berisha. Sipas tij, janë disa hapa që Basha duhet të ndërmarrë për ta bërë të mundur fitoren: të ketë një ekip të ri dhe të prodhojë një projeksion politik të tij; dhe të tërheqë karrocën e PD-së pa Berishën, por jo domosdoshmërisht t’i dalë kundër.
“Berisha, si të gjithë njerëzit e zot, ka një gravitet të vetin. Ka një masë, e cila bie mbi gravitet dhe sigurisht përreth Berishës për vite me radhë kanë lëvizur njerëz, ide dhe interesa. Unë gjykoj se si një grafik, i cili ka një ngjitje, ka një rënie dhe mbaron. Ka një cikël të caktuar në politikë, unë gjykoj se zoti Basha mund ta bëjë këtë punë, ta tërheqë karrocën e PD-së edhe pa Berishën, jo domosdoshmërisht kundër Berishës pasi nuk e quaj të vlefshme, sepse Berisha ka akoma një inerci politike, ka shumë njerëz pas vetes, të cilët kanë dhënë kontribut për PD-në dhe duhet t’i sjellin votat pranë opozitës.
Por Basha duhet t’i japë një markë të vetën. Tashmë u bënë tre vite dhe këto janë zgjedhjet e para politike, dhe nëse nuk hyn me modelin tënd, me idetë e tua apo qoftë me fytyra të reja, them se nuk ka sjellë ndonjë rinovim. Ky nuk është një eksperiment politik, por është linja normale”.
“Grekët e lashtë kanë thënë një fjalë të bukur “kush shikon mbrapa, mbrapa shkon”, pra për të ecur para, duhet të shikosh përpara. Nga kjo pikëpamje zoti Basha i ka të gjitha mundësitë, arsimimin e duhur, eksperiencën e mjaftueshme në politikë, moshën dhe është më i riu i ne të vjetërve dhe është më i vjetri i atyre të rinjve që kanë ardhur, nga Bashkia e Tiranës besoj se dhe për hir të rrethanave dhe fatit të tij sigurisht dhe zotësisë ka patur një shans që jo të gjithë e kanë pasur. Të xhirosh të gjithë ekzekutivin, përfshirë dhe Bashkinë e Tiranës dhe të mbërrish në krye të PD-së, unë them se e ka bërë gazetën e vet politike dhe tani ka ardhur dita që në zgjedhje të marrë vendimet e duhura. Për mua vendimet e duhura janë këto: Ne duhet t’i afrohemi shqiptarëve jo si e djathta ideologjike e vjetër, jo si e djathta anti-komuniste, por si një djathtë, esenca e së cilës është të bëjë shtet. Nëse ne sot jemi të dobët, s’kemi shtet të fortë duke diskutuar sot për gjykatat, për Kushtetutën, ne iu ofrojmë shqipatrëve shtet që bën ligjin e barabartë për të gjithë njerëzit. Nga kjo fillon historia e të djathtës. Dhe e dyta, brenda këtij shteti do keni mundësi të punoni që të gjithë, dhe e treta, ky shtet me qeverinë e vet ekzekutive që do të dalë, do të jetë faktor promovues i ekonomisë, që të kemi më shumë punë”.
Shehi shprehu rezerva për ecurinë e tranzicionit shqiptar, për nivelin e përfaqësimit politik në Kuvend dhe mënyrën se si punon qeverisja e sotme e majtë./Tema/a.k