Protestantët në Kosovë janë të diskriminuar, atyre nuk u lejohet të varrosen me kryq. Komuna e Gjakovës ka marrë vendim të prerë kundër ndarjes së tokës për varrezat e tyre, shruan sot gazeta “Zëri”.
Skënder Hoti (40), drejtues i Kishës Protestante në Gjakovë, ndërroi jetë në fillim të këtij viti pas një aksidenti me zjarr, por nuk u lejua të varroset si protestant.
Varrit të tij iu hoq kryqi nën pretendimin se “po prishet harmonia fetare”, meqë përreth janë varrezat myslimane.
Familjarët dhe përfaqësuesit e Kishës Protestante kërkuan shpjegim nga zyrtarët komunalë dhe të kompanisë komunale “Çabrati”, e cila merret me pronën e varrezave, dhe përgjigjja ishte e prerë; “s’ka kryq tek varrezat myslimane, e nëse doni, varroseni tek varrezat katolike”.
E as që bëhet fjalë për të ndarë pronë për varrezat e këtij komuniteti fetar.
“Kemi kërkuar nga kryetarja e Gjakovës, Mimoza kusari-Lila, që të varroset vëllai si protestant, por nuk na është lejuar”, ka thënë për gazetën “Zëri”, Enver Hoti, vëllai i drejtuesit të kishës protestante në Gjakovë.
Ka disa vite që drejtuesit e Kishës Protestante në Kosovë, kërkojë që të bëhet zgjidhje për varrezat e tyre, por refuzohen me vendime të komunës së Gjakovës.
Pastori Driton Krasniqi tregon me shqetësim rastin e fundit në varreza më datë 08 janar 2017, duke numëruar edhe shumë raste të tjera që nuk kanë mundur të varrosen si protestantë as në varrezat e myslimaneve, e as të katolikeve…