Nga qyteti i Durrësit Kryeministri Edi Rama së bashku me Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj kanë prezantuar vendimin e qeverisë për të futur si përfituers të listës së ilaçeve të rimbursuseshme edhe personat e pasiguruar. Sipas Ramës janë 600 mijë të tillë që do të përfitojnë rishtaz nga lista e ilaçeve të rimbursueshme. Po sipas kryeministrit, nga viti 2013 deri në 2015, ulja e çmimeve të shërbimeve shëndetësore për qytetarin rezulton të jetë rreth 25%.
Do të nxitohesha të bëja një krahasim me 3 vjet e gjysëm më parë kur ishin në këtë sektor në det të hapur. Sot nuk e kemi arritur portin por kemi një busull që na orienton në drejtimin e duhur dhe falë njëe punë të mirëorganizuar dhe një kantieri reformash, ne jemi në kushtetu kur mund t;ju themi njerëzve me krenari që ju kemi ulur në mënyrë të ndjeshme shpenzimet për shëndetin…. dhe me shumë modesti e dimë që ka ende shumë për të bërë, por e dimë ekzaktësisht sesi do ta bëjmë këtë punë.
600 mijë shqiptarë do të marrin falas ilaçet nga e gjithë lista e ilaçeve të rimbursueshme edhe pse mund të mos jenë të siguruar.
Sot të gjithë kanë akses falas në shërbimin shëndetësor për çdo ilaç dhe po të kemi parasysh rrëfimet që mund të na tregojnë të sëmurët kronikë, është një lehtësi e jashtëzakonshme.
Nga ana tjetër kjo i bën të gjithë qytetarët të barabartë në raport me aksesin në shërbimin shëndetësor. Ilaçet, nuk harroj, që tanimë mjeku i familjes është falas, tarifat e shërbimit janë simbolike në raport me atë se çfarë ishin, dhe nuk harroj po ashtu, të gjitha risitë e tjera që kanë sjellë një ulje prej rreth 25% të barrës së shpenzimeve për shëndet.-tha Rama.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka deklaruar nga Durrësi se 600 mijë persona të pasiguruar përfitojnë shërbim shëndetësor falas njësoj si të siguruarit. Gjithsej, janë 2.9 milionë persona brenda territorit shqiptar që përfitojnë shërbimin, me apo pa sigurime.
“Që nga janari 2016, 600 mijë persona ende të pasiguruar përfitojnë vizita falas. Janë 2.9 milionë persona brenda vendit që trajtohen në mënyrë të barabartë, me apo pa sigurime”, tha Beqaj, i cili shtoi se ofrohen 44 vizita të ndryshme, falas edhe për të pasiguruarit./java/a.k