Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, e sheh absurd dhe të papranueshëm qëndrimin e mbajtur nga ambasadori i OSBE-së në lidhje me votimin elektronik në Shqipëri. Ndoka, i cili është edhe një nga krerët e partive që firmosën memorandumin për zgjedhje të lira dhe të ndershme në vend, thekson se vullneti politik është më i rëndësishëm në procesin e Reformës Zgjedhore.
Në një intervistë për “Report Tv”, Ndoka paralajmëron një skenar si ai në Maqedoni, nëse në Shqipëri nuk do të ketë një Reformë të thellë Zgjedhore. “Qëndrimi i OSBE është absurd, i papranueshëm dhe i papërgjegjshëm, për faktin se gjithmonë kur ka një vullnet politik, ka kohë. Duke e konsumuar mandatin kushtetues kjo maxhorancë, mund të na presë një variant maqedonas, duke i organizuar zgjedhjet me një qeveri tjetër tranzitore me një kohë dhe një afat të përshtatshëm për t’i realizuar këto standarde”, deklaroi Ndoka.
Edhe për kreun e LZHK-së, Dashamir Shehi, vullneti i partive politike është më i rëndësishëm në Reformën Zgjedhore sesa qëndrimet e OSBE-së. Sipas Shehit, gjithmonë ky institucion ka folur për zgjedhje që po vijnë drejt përmirësimit, por hapin final duhet ta hedhin partitë politike.
“U bë vite që OSBE thotë se në këto zgjedhje u bë një hap përpara. Se ku është ky hapi përpara…? Unë s’mbaj mend të ketë thënë ndonjëherë OSBE se këto zgjedhje nuk hyjnë në punë. OSBE këtë punë thotë, prandaj me OSBE ose pa OSBE, kjo është puna jonë dhe gjykoj se këtu s’ka asgjë për t’u paragjykuar”, theksoi Shehi.
Dy aleatët e opozitës paralajmërojnë se nëse maxhoranca nuk do të reflektojë për kërkesat e tyre në lidhje me Reformën Zgjedhore, atëherë do të ndiqen të gjitha rrugët demokratike për t’ia imponuar asaj këto kërkesa. Bojkoti i Kuvendit, protestat dhe deri te shtyrja e datës së zgjedhjeve janë disa nga hapat që opozita pritet të ndjekë nëse maxhoranca nuk do të pranojë votim dhe numërim elektronik në zgjedhjet e 18 qershorit.
ma.me