Universiteti i Tiranës ka bërë publike kriteret e reja të pranimit të studentëve për vitin akademik 2017-2018.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni ditën e djeshme zbardhi kriteret e reja të pranimit në 6 fakultetet e UT-së për çdo program studimi për ciklin e parë të studimeve për vitin akademik 2017-2018. Koni theksoi se kriteret e vendosura janë në përputhje të plotë me kurrikulat që maturantët kanë zhvilluar ose janë duke zhvilluar në sistemet parauniversitare publike dhe jopublike në Republikën e Shqipërisë.
“Në bazë të analizës së kurrikulës së shkollës së mesme, Universiteti i Tiranës është përpjekur të vendosë kriteret perfekte në mënyrë të tillë që puna e maturantëve ndër vite të mos humbasë, por të vlerësohet dhe ata të zgjedhin programin e studimit që u intereson”, -tha rektori Koni. Sipas tij, edhe këtë vit, kriteret kanë një orientim specifik duke u bazuar në: Mesataren e studimeve të tri viteve; mesataren e gruplëndëve specifike sipas programit të studimit të fakulteteve të ndryshme të UT-së; si dhe provimet në disa programe studimi të Maturës Shtetërore.
Bërthama dhe përbërja kryesore në këto kritere janë lëndët e kurrikulësbërthamë që zhvillohen në arsimin e mesëm të Republikës së Shqipërisë”, – theksoi rektori i UT-së Koni. “Gazeta Shqiptare” në tabelat bashkëngjitur shkrimit publikon të detajuara lëndët preferenciale dhe kriteret e reja për çdo program studimi që ofrohet në UT.
FAKULTETI I DREJTESISE
Maturantët që do të aplikojnë në Fakultetin e Drejtësisë, 50% të pikëve i marrin nga mesatarja e tri viteve të shkollës së mesme, përfshi mesataren e notave të provimeve të Maturës Shtetërore. Ndërkohë që 50% të vlerësimit do ta ketë nota mesatare e pesë lëndëve preferenciale (për të gjitha vitet gjatë të cilave shtrihen lëndët, përfshirë provimet e Maturës Shtetërore), të cilat janë: Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Histori, Qytetari, Ekonomi, Gjuhë e Huaj (e parë), dhe secila prej tyre vlerësohet me 10%.
FAKULTETI I EKONOMISE
Fakulteti i Ekonomisë i ka bërë publike kriteret e pranimit që në muajin dhjetor, dhe formula e përzgjedhjes së studentëve është e njëjtë me vitin e shkuar, ku nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë edhe provimet e Maturës Shtetërore (mesatare e thjeshtë), përbëjnë 50% të vlerësimit. Ndërsa, 50 përqindëshin tjetër të vlerësimit kandidatët që do të aplikojnë te Ekonomiku i marrin nga nota mesatare e gruplëndëve preferenciale (për të gjitha vitet gjatë të cilave shtrihen lëndët, përfshirë notat e Maturës Shtetërore). Në secilin program studimi, Ekonomia dhe Matematika kanë secila nga 15% të peshës, ndërsa dy lëndët e tjera, Fizikë dhe Gjuhë e Huaj nga 10%. Pra, maturantët që mesataret e këtyre lëndëve për të tria vitet e studimit i kanë të larta, kanë më shumë shanse të fitojnë të drejtën e studimit.
HISTORI-FILOLOGJIA
Ndryshime në kriteret e pranimit nga viti i kaluar ka Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, pasi në këtë fakultet nuk ka lëndë preferenciale. Për të gjitha programet e studimit në këtë fakultet, do të vlerësohet me 80% të rezultatit përfundimtar mesatarja aritmetike e tri viteve të studimit në shkollën e mesme, ndërsa 20% të pikëve maturantët i marrin nga mesatarja aritmetike e lëndëve të Maturës Shtetërore.
GJUHET E HUAJA
Po ashtu, ndryshime ka edhe për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, pasi e ka hequr fare grupin e lëndëve preferenciale që kishte një vit më parë, ku ishin të listuara 5 lëndë. Në vendimin e këtij fakulteti përcaktohet se, studentët për vitin e ri akademik 2017-2018 do të pranohen vetëm në bazë të notës mesatare të tri viteve të gjimnazit, përfshi edhe provimet e maturës. “Mesatare e thjeshtë e cila rezulton nga mbledhja e notave të tri viteve dhe notave të marra në provimet e Maturës Shtetërore, pjesëtuar me numrin në total të notave të mbledhura”, përcaktohet në vendim.
SHKENCAT E NATYRES
Në këtë fakultet ka një formulë ndryshe nga viti i shkuar, pasi 25% të pikëve maturantët i marrin nga mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, dhe 25% nga mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore. Gjysmën tjetër të pikëve, pra 50%, ata i marrin nga nota mesatare e gruplëndëve (kurrikula bërth-amë). Në gruplëndët preferenciale të këtij fakulteti përfshihen lëndët Biologji, Kimi, Fizikë dhe Matematikë, por vlerësimi është në varësi të programit të studimit (shiko tabelën bashkëngjitur për detajim).
SHKENCAT SOCIALE
Për të hyrë në Fakultetin e Shkencave Sociale, vlerësimi do të bëhet i tillë: Nota mesatare e thjeshtë e tri viteve të shkollimit 50% e vlerësimit; Nota mesatare e thjeshte e tri provimeve të maturës të detyrueshme (Gjuhë dhe Letërsi, Matematikë, Gjuhë e Huaj), 40% e vlerësimit. Ndërsa, 10% të pikëve kandidati i merr nga një provim me zgjedhje, ku përfshihen: Qytetari, Sociologji, Filozofi, Psikologji, Histori, Gjeografi, Biologji, Ekonomi dhe Teknologji. Nëse maturanti jep dy provime me zgjedhje nga lista e mësipërme, atëherë llogaritja bëhet duke marrë notën mesatare të tyre. Normalisht, edhe këtë vit, MAS-i ka përcaktuar se i vetmi kriter që kandidatët duhet të plotësojnë për provimet e lëndëve me zgjedhje, është që shuma e krediteve të tyre të jetë 8. /GSH/b.d