“Barazia, liria dhe demokracia, si 3 elementë themelorë të Marrëveshjes së Ohrit nuk janë zbatuar në mënyrën e duhur, çfarë të lë një përshtypje apo shije të hidhur, që kemi të bëjmë me dy komunitete, që në fakt janë shtetformues, sllavo-maqedonasit dhe shqiptarët, të cilët pak komunikojnë me njëri-tjetrin”, është shprehur ministri i Jashtëm Bushati më 9 janar.
Përdorimi i termit “sllavo-maqedonas” nga ministri Bushati nuk është pritur aspak mirë nga homologu i tij në Shkup, Nikola Poposki.
“Mënyra sesi dikush përdor një term të caktuar është ndoshta reflektimi i respektit dhe edukimit të tij. Ne jemi maqedonas dhe asgjë më shumë e asgjë më pak. Asnjë demokrat nuk do të ndiejë nevojën për të na etiketuar në një kontekst fisnor. Sot Europa ka nevojë për një fjalor kulturor të 2017-s, e jo të 1913-s”, është shprehur Poposki për mediet në Maqedoni.
I kontaktuar nga Top Channel lidhur me këtë deklaratë, ministri Bushati ka theksuar dhe njëherë se Marrëveshja e Ohrit nuk është thjesht një marrëveshje ndërmjet dy komuniteteve kryesore, shtetformuese në Maqedoni, por është edhe një marrëveshje që ofron hapësirë për më shumë liri, barazi dhe për më shumë demokraci në Maqedoni.
Ai shton se “çdo tendencë për t’i barazuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, thjesht me krijimin e lehtësirave nëpërmjet ndërtimit të fabrikave, në rastin më të mirë do të ishte dritëshkurtësi dhe në rastin më të keq do të barazonte shqiptarët me një komunitet punëtorësh, të cilët mund të jenë drejt kërkimit të punës”.
ma.me