Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, në një intervistë dhënë për Vizion+, ka komentuar se çfarë pret vendi ynë pas miratimit të vetting-ut, reforma zgjedhore, si dhe çështjen e përafrimit të legjislacionit të vendit tonë me BE. Sipas saj, “Rezultatet e Vettingut, janë indicia më e mirë për një raport të ndërmjetëm nga KE”.
Znj. Gjosha, 2016 ka qenë një vit me tepër angazhime nga ju. Mund të bëjmë një bilanc të shkurtër përsa i përket angazhimeve dhe arritjeve në procesin e integrimit?
Unë do ta quaja 2016 një vit të suksesshëm pavarësisht se dëshira do të kishte qenë e madhe që Këshilli pse jo, të miratonte dhe çeljen e negociatave me Shqipërinë, por nga ana e procesit teknik dhe koordinimit që e ka drejtuar MIE, suksesi ishte aty dhe u be më i dukshëm me rekomandimin pozitiv që dha KE në nëntor të vitit që lamë pas. Ishte një vit i rëndësishëm reformash duke nisur me reformën në drejtësi e cila sërish është për t’u duartrokitur nga e gjithë procedura që u ndoq për t’u miratuar në Kuvendin e Shqipërisë.
Ne tani kemi të zhbllokuar edhe ligjin e vettingut që shumë shpejt do të nisë edhe implementimin. Me këtë ligj, nis zyrtarisht implementimi i gjithë reformës në drejtësi. Të shpresojmë që do të bëhet në mënyrën e duhur, me një dakordësi të plotë, por duke u angazhuar të gjithë bashkë edhe për logjistikën, për të lehtësuar procedurat për vazhdimësinë e ligjit të vettingut.
Rezultatet e para që do të jepen do të jenë dhe indicia më e mirë për KE, që pse jo në 2017 të ndjek atë që ne i kemi kërkuar prej shumë kohësh, edhe gjatë 2016, një raport të ndërmjetëm. Të mos harrojmë që 2017 ishte një vit që KE kishte vendosur të mos prezantonte raporte progresi si për Shqipërinë edhe për vende të tjera që aspirojnë të jenë pjesë e BE.
Edhe kjo është një tjetër arritje, duke qenë se nuk kishte një dakordësi për të pasur një raport të ndërmjetëm. Arritja dhe vendimi që u morr edhe nga Këshilli në dhjetor që i hap dritën jeshile Komisionit për të pasur një raport te tillë në 2017 ishte një punë e madhe e bërë nga autoritetet shqiptare duke filluar nga Ministria e integrimit dhe të gjitha institucionet të cilat me ngul e kanë kërkuar këtë raport.
Të shpresojmë që do të kemi rezultate të njëpasnjëshme në mënyrë që të paraqesim një sukses të dukshëm dhe në vitin 2017.
Përsa i përket bilancit të 2016 do ta quaja pozitiv, edhe nga ana e koordinimit të procesit apo plotësimit të shumë kushteve të vendosura në udhërrëfyesin e 5 prioriteteve. Ka qenë një dokument tejet i zgjeruar që ne e kemi miratuar në vitin 2014, pas marrjes së statusit të vendit kandidat ku është bërë një punë e jashtëzakonshme që të përmbusheshin dhe plotësoheshin të gjitha kushtet e vendosura aty, përafrimi i legjislacionit, shumë reforma, shumë marrëveshje bashkëpunimi mes institucioneve të munguara deri në atë kohë, dhe arritja ka qenë shumë e madhe.
Është marrë një iniciativë nga MIE duke filluar nga viti që shkoi për të ngritur strukturat negociuese. Është një dokument, që tashmë është gati dhe do të hapet shumë shpejt për konsultim publik si dhe do t’i përcillet Këshillit Kombëtar të Integrimit, Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile. Institucionet tashmë janë shprehur dhe kanë dhënë mendimet e tyre. Ky do të jetë një dokument ku do të përzgjidhen strukturat dhe kapacitetet tona më të mira për të qenë pjesë e çdo kapitulli, dhe ne do të jemi gati nëse do të kemi një vendim pozitiv deri në fund të këtij viti. Strukturat do të jenë aty dhe të gatshme për të filluar punën sa më shpejt.
Do të intensifikohet puna me KE për dy kapitujt më kryesorë, 23 dhe 24 dhe kjo është një tjetër kërkesë që i është bërë KE nga MIE, sepse vërtetë nuk do të kemi çelje negociatash por ne nuk na pengon asgjë për të filluar paraprakisht të gjitha procedurat, pavarësisht se nuk do të jetë një screening i mirëfilltë, por këto janë procedura të brendshme dhe koordimini mes institucioneve tona, që sërish në momentin që të çelim negociatat të kemi ecur dhe të kemi bërë hapa para me këto 2 kapituj.
Sërish në bilancin e vitit që shkoi kemi patur një tjetër arritje ku brenda këtij procesi kemi përfshirë edhe pushtetin lokal. Ky proces ka qenë i ndarë nga pushteti lokal dhe qendror dhe është parë si një proces që i përkiste vetëm institucioneve qendrore. Në fakt nuk është kështu dhe meqë Shqipëria po ecën më ritme shumë të shpejta drejt çeljes së negociatave shumë shpejt do të jenë vetë qytetarët që do të marrin në dorë procesin, dhe pushteti lokal këtu ka një rol shumë të madh.
Iniciativa që morëm së bashku me Ministrin Çuçi dhe me ndihmën e KE është e jashtëzakonshme dhe shumë shpejt do të kemi drejtori të vogla pranë çdo bashkie që do të asistojnë dhe koordinojnë punën bashkë me ne, por edhe do të trajnohen për të përthithur sa më shumë fonde, sepse BE nuk është vetëm reforma të mëdha por është edhe financat vogla që shkojnë në xhepat e çdo shqiptari apo për të rregulluar komunitetet të cilat ata jetojnë.
Pra janë marrë iniciativa shumë të mira dhe 2017 do të vazhdojë me një ritëm akoma edhe më të madh, sepse sa më shumë i afrohemi një vendimi pozitiv edhe puna intensifikohet më shumë. Unë uroj që të mbyllet sa më mbarë, pse jo me një vendim pozitiv për çeljen e negociatave.
Ju folët për screening, kur mund të nisë konkretisht puna?
Ne do të nisim shumë shpejt, do të kemi takime të intensifikuar edhe me KE. Screening zyrtarisht do të fillojë pas marrjes së vendimit nga Këshilli për çeljen e negociatave por puna jonë do të vijojë sepse screening që ne bëjmë apo skanimi i legjislacionit bëhet edhe përmes PKIE i cili punohet nga MIE me ministritë e linjës, ku shihet sa është përafruar legjislacioni në çdo sektor dhe cilat janë mundësitë që për vitin e ardhshëm ne të vazhdojmë të intensifikojmë punën për ta përafruar në nivelin 100% dhe në të gjitha nivelet.
Raporti i ndërmjetëm kur mund të publikohet?
Në çdo rast unë do të thoja që do të jetë pas zgjedhjeve të 2017, ndoshta në vjeshtën e ardhshme.
Në këtë optikë zgjedhjet e 18 qershorit 2017 mendoni se janë kusht për çeljen e negociatave?
Unë e kam thënë gjithmonë që zgjedhjet janë tejet të rëndësishme për çdo vend, jo vetëm për ne që aspirojmë të jemi pjesë e BE sepse janë tregues i një demokracie të brendshme të çdo vendi dhe i votës së lirë të çdo qytetari për të zgjedhur qeverinë dhe udhëheqësit që duan, për të vazhduar mandatin tjetër i cili do të jetë sërish shumë i rëndësishëm për të gjithë ne.
Në këtë kuadër ne do të monitorohemi ne çdo moment nga BE por dhe nga aktorë të tjerë për zgjedhjet. Shumë e rëndësishme është puna për reformën zgjedhore ku duhen plotësuar të gjitha kushtet e OSBE- ODIHR-it. Dhe këtu sërish është një apel për vazhdimësinë e kësaj pune.
Gjithmonë kam thënë që ne jemi vonë, sepse qytetarët edhe datën e zgjedhjeve duhet ta kishin pasur kohë më parë, duhet të dinin sesi do të procedohej për zgjedhjet. Unë do të thoja, që reforma zgjedhore duhet të përfundojë sa më shpejt dhe ne duhet të zbatojmë me përpikmëri atë çka do të miratojmë të gjithë së bashku. Për këtë, të jemi të sigurt që monitorimi do të jetë nga të gjitha palët. Zgjedhjet gjithmonë kanë qenë një kriter i padiskutueshëm i BE. (VIZION+)
ma.me