Zbardhen dëshmitë e grabitësve të karburanteve me maska dhe nën kërcënimin e armëve.
Dje u arrestuan Klajdi Pupa, i dënuar më parë për posedim të lëndëve narkotike, dhe Florian Thana, 19 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje. Ndërsa është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit B.K., 20 vjeç, gjithashtu i dënuar më parë për vjedhje. Të tre të rinjtë janë nga qyteti i Durrësit. Gjatë deklarimit të dhënë para oficerëve të policisë, dy të arrestuarit kanë pranuar dhe shpjeguar mekanizmin e kryerjes së grabitjeve.
“Grabisnim sepse ishim të papunë dhe na duheshin para. Ne merrnim makina me qira në mënyrë të rregullt, që të mos pikaseshim dhe identifikoheshim. Pasi përfundonim grabitjen, makinat i kthenim sërish te vendi ku i kishim marrë. Armët dhe maskat i kishim siguruar në rrugë të ndryshme. Kemi kryer disa grabitje, kryesisht karburante, pasi ato ishin të hapura gjatë orëve të natës. Rojet dhe punonjësit i dhunonim psikologjikisht nën kërcënimin e armëve. Ne nuk kishin për qëllim të dhunonim fizikisht apo qëllonim mbi punonjësit, pasi objektivi ynë ishte të merrnim paratë e xhiros ditore dhe të iknim”, kanë pohuar ndër të tjera për policinë të arrestuarit.
Si u zbuluan
Këta të fundit u pikasën dhe u identifikuan nga policia, falë kamerave të sigurisë të instaluara në pikat e karburanteve. Në bashkëpunim me njëritjetrin, tre të rinjtë nga Durrësi dyshohen se kanë kryer disa grabitje në autostradën Tiranë-Durrës. Duke u gdhirë e hëna, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të tre këta persona kanë vjedhur nën kërcënimin e armëve dy pika karburanti në autostradën Tiranë-Durrës, te “Mbikalimi i Fllakës”, duke marrë shuma të ndryshme parash, raporton Panorama.
“Më datë 09.01.2017 dyshohet se nën kërcënimin e armës dhe me maska kanë vjedhur dy karburante në të dy krahët e autostradës (në Fllakë) dhe më pas janë larguar me një mjet tip ‘Golf’. Më datë 12.12.2016, rreth orës 02:50, shtetasit e mësipërm dyshohen se nën kërcënimin e armës i kanë marrë xhiron ditore rojeve të një karburanti, në afërsi të mbikalimit të Fllakës, rreth 150 000-200 000 lekë”, sqaroi policia, e cila dyshon se tre të rinjtë kanë kryer edhe grabitje të tjera.
Sakaq, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një automjet tip “Volkswagen Golf 5”, me të cilin autorët kryenin vjedhjet, një çantë krahu, në të cilën mbanin armën, maskat dhe dy telefona celularë.