Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me dy vite burg dhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar profesionin gjyqtarin Shyqyri Çobo.
Krimet e Rënda kanë pezulluar vendimin për t’u dënuar me 2 vite burg duke ia konvertuar me 18 muaj shërbim prove.
I pranishëm në seancën e sotme të gjyqit, ish- gjyqtari është shprehur se nëse mesazhet e dërguara shtetases me inicialet I.T do të vërtetoheshin atëherë ai do të kërkonte falje publike.
“Nëse do të provohej një mesazh i vetëm atëherë unë do të kërkoj falje publike”, mësohet të jetë shprehur Çobo.
Vendimi i togave të zeza në seancën gjyqësore pritet të ankimohet nga Çobo në Gjykatën e Apelit.
Shyqyri Çobos, ish-gjyqtar i Beratit u pezullua për kërkim të favoreve seksuale dhe po gjykohet pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda për akuzën e “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Këtë vepër, sipas akuzës, gjyqtari e ka konsumuar pasi me anë të bisedave dhe mesazheve telefonike ka kërkuar favore seksuale nga një grua me inicialet I.T, të cilën po e gjykonte në një proces civil, për divorc.