Të paktën 16 vetë janë arrestuar në lidhje me një grabitje të armatosur ndaj Kim Kardashian West në Paris, gjatë muajit tetor të vitit të kaluar. Lajmi konfirmohet nga mediet franceze.
Autoritetet thanë në kohën kur ndodhi grabitja se, ylli amerikan i “reality show”-t ishte grabitur me armë zjarri nga të paktën dy persona të veshur si policë.
Personat kishin hyrë në apartamentin luksoz të Kim Kardashian, e kishin lidhur atë dhe e kishin mbyllur në tualet. Ata ishin larguar me bizhuteri me vlerë rreth 10 milionë euro. Policia franceze tha se gjurmët e ADN-së, të lëna në vendngjarje, çuan në arrestimet.
Personat janë arrestuar në disa operacione të kryera herët në mëngjes në rajonin e Parisit. 36-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve, e martuar me reperin Kanye West, tha se ajo kishte pasur frikë se do të vritej nga grabitësit.
Kardashian West ndodhej në kryeqytetin francez për javën e modës në Paris, bashkë me të ëmën, Kris Jenner dhe motrën e saj, Kendall Jenner. Kanye West ishte në skenë në një spektakël në Nju Jork në kohën e grabitjes, e pasi mori lajmin u tha fansave: Më vjen keq, emergjencë familjare. Duhet të largohem!
Grabitja shkaktoi një stuhi të vërtetë në mediet sociale, me një numër personash të famshëm që jepnin mesazhe mbështetjeje.tch/a.k