Shërbimi i Kujdesit Parësor, në të gjitha qytetet kryesore të vendit, është në shërbim të pacientëve edhe gjatë fundjavës për t’i përgjigjur situatës epidemike të gripit. Qendrat Shëndetësore, si dhe i gjithë personeli, janë në gatishmëri të plotë ndërsa prej tre ditësh ka nisur në të gjitha Qendrat procesi i vaksinimit me vaksinën kundër gripit.
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ishte sot në disa prej Qendrave Shëndetësore në Tiranë, Elbasan dhe Durrës, ku u njoh nga afër me situatën.
“Ne vazhdojmë të përgjigjemi situatës epidemike të gripit por edhe situatës të një dimri goxha të ftohtë në të gjithë vendin. Sot është e dielë megjithatë i gjithë Kujdesi Shëndetësor Parësor në qytetet kryesore të vendit është në shërbim të vizitave për të qenë më pranë qytetarëve por dhe për të ulur sado pak ngarkesën shumë të madhe që ka në spitalet tona. Prej disa ditësh kemi filluar edhe me shpërndarjen e vaksinës së gripit”, u shpreh ndër të tjerash Beqaj.
Kreu i Shëndetësisë solli edhe një herë në vëmendje, se në të gjitha Qendrat Shëndetësisë të cilat bllokohen prej motit të ftohtë është bërë e mundur, që në javën e parë të dhjetorit, furnizimi me barna dhe pajisje mjekësore.
“Që në javën e parë të dhjetorit, përfshirë dhe këtu në Elbasan, Ministria e Shëndetësisë ka furnizuar me barna dhe materiale mjekësore për 3 muaj, 90-95 Qendra Shëndetësore, të cilat bllokohen zakonisht gjatë stinës së dimrit, ashtu siç ne kemi filluar mbrojtjen e personelit shëndetësor që në javën e fundit të tetorit me vaksinën e gripit”, theksoi Beqaj.
Ndërkohë, në Durrës, janë më shumë se 500 qytetarë të cilët kanë bërë vaksinën e gripit vetëm në dy ditët e fundit. Nga qyteti bregdetar, Beqaj i bëri thirrje qytetarëve që, që me shenjat e para t’i drejtohen Qendrave Shëndetësore, ndërsa shprehu falënderime për gjithë personelin shëndetësor në vend për përballimin e kësaj situate deri më tani.