Një incident i pak ditëve më parë, ka rënduar gjendjen shëndetësore të regjisorit dhe dramaturgut Mihal Luarasi. Një rrëshqitje këmbe në një pusetë pa kapak do t’i shkaktonte një shembje, por falë kujdesit mjekësor dhe mbi të gjitha atij familjar, Luarasi, tashmë në moshën 87-vjeçare, ndihet më mirë. Ky incident u bë publik nga filozofi dhe kritiku i artit Përparim Kabo, i cili shkroi në rrjetin social facebook, një mesazh të gjatë, ku përpos se njoftonte për ngjarjen dhe gjendjen shëndetësore të regjisorit, u bënte apel të gjithëve “të ndihmonin dhe shpëtonin” Mihal Luarasin.
Në veçanti, një thirrje për kryebashkiakun Veliaj, i cili përgjigjet për punët publike në Tiranë, ministrin e Shëndetësisë Beqaj dhe kryeministrin Rama, që të kujdesen për shëndetin e regjisorit.
“Koha nuk pret… Nëse ndodh nesër diçka, atëherë… unë do të bëj akuzë publike, se pakujdesia dhe mosshërbimi juaj vret në Shqipëri…”, shprehej Kabo, i cili orë pas ore ka njoftuar për gjendjen shëndetësore dhe për ndihmën që po i jepej atij.
Në një prej këtyre njoftimeve, bën me dije se ministri Beqaj, personalisht po kujdesej për këtë rast.
Po ashtu, dy fëmijët e regjisorit dhe aktores së njohur Edi Luarasi, e cila po ashtu është në një gjendje jo të mirë shëndetësore, kanë vënë në dijeni të gjithë ata që me të drejtë janë shqetësuar, pas thirrjes së Kabos, mbi ecurinë e shëndetit të të atit.
REAGIMI I FËMIJËVE
I kontaktuar nga gazeta “Panorama, i biri i regjisorit, Eltoni, na bën me dije, se gjendja e Luarasit është stabilizuar.
“Tashmë gjendja e tij është më e mirë. Me gjithë dëshirën e mirë, mund të them se prof. Kabo e ka alarmuar më tepër seç duhet situatën. Incidenti i pak ditëve më parë, vetëm sa e rëndoi më shumë gjendjen shëndetësore të tim eti, e cila është si rezultat i moshës së tij të thyer tashmë. Unë prej 6 muajsh kam ardhur në Tiranë dhe po i qëndroj mbi krye tim ati”, thotë Elton Luarasi.
Sipas tij, i ati ka marrë shërbimin mjekësor që i duhej. Fatmirësisht nuk kishte asnjë frakturë, që do të mund ta rëndonte më tej situatën e tij shëndetësore. Kundër këtij alarmi të vënë nga Kabo ka qenë edhe e bija, Lea, e cila përmes një statusi në facebook, edhe në emër të të vëllait, kërkon pak qetësi në këto ditë.
Ajo po ashtu ka njoftuar se i ati ka marrë ndihmën e duhur, ndërkohë që mësojmë se prej kohësh të dy fëmijët po përpiqen t’i tëheqin prindërit e tyre në Zvicër.
“I drejtohem publikut shqiptar duke e falenderuar nga zemra për dashamirësinë kundrejt prindërve tanë të shtrenjtë! Ndërkohë ju lutem shumë, shumë, për të respektuar me diskretion jetën private të familjes sonë. Vëllai im i mrekullueshëm është kthyer nga Zvicra prej majit të vitit 2016 në Tiranë, duke lënë gjithçka të tijën për t’ju shërbyer mamit dhe babit. Ai dhe prindërit tanë shumë të moshuar dhe të sëmurë nuk e meritojnë këtë lakuriqësi sociale… Jemi jashtëzakonisht të prekur… Babi dhe Mami janë me shërbim privat në shtëpi dhe ne presim të stabilizohen për t’i tërhequr në muajt e ardhëm në Zvicër, mbas një lufte të jashtëzakonshme me zyrat dhe qeverinë zvicerane.
Ju lutem, për disa ditë të lini tim vëlla dhe mua të qetë të bëjmë punën tonë. I kërkojmë ndjesë qeverisë për këtë thirrje që nuk vjen nga ana e familjes tonë”.
ma.me