Miratimi i reformës në drejtësi dhe zhbllokimi i ligjit të vetingut do të shënojnë një kthesë të pakthyeshme në historinë e drejtësisë shqiptare. Me nisjen e zbatimit të reformës në drejtësi, të gjithë presin që zyrtarët e lartë të korruptuar, që e lanë vendin 26 vjet në varfëri, të shkojnë pas hekurave dhe të rihapen një sërë çështjesh politike të pagjykuara.
Deputetët e Partisë Socialiste kërkojnë rihapjen e dosjeve të 21 Janarit, Gërdecit dhe rrugës Durrës-Kukës, ndërsa bëjnë thirrje që reforma të nisë me Sali Berishën dhe ministrat e tij. Deputeti Arben Çuko, në një prononcim për gazetën, bën thirrje që reforma në drejtësi të nisë me zbardhjen e 21 Janarit dhe më pas me çështjet e tjera të pambyllura.
Ai tha se 21 Janari do të mbetet pika më e errët e drejtësisë nëse nuk arrestohen përgjegjësit kryesorë shkruan “Sot”. “Dosja e 21 Janarit është pika më e errët e politikës dhe e drejtësisë. Mendoj se është e para dosjet që duhet hapet, pasi ka patur edhe një tallje nga gjykata me gjakun e katër të pafajshmëve. Masakra e 21 Janarit, është ngjarja më e rëndë në historinë e shtetit modern shqiptar, e cila jam i bindur që do të lërë gjurmë të thella në kulturën politike të institucioneve dhe shoqërisë.
Duhet të gjenden fajtorët e vërtetë të asaj ngjarjeje, ata që urdhëruan hapjen e zjarrit ndaj katër të vrarëve. Janë vrarë katër veta dhe janë plagosur mbi 26 të tjerë. 21 Janari ishte një masakër shtetërore, një genocid shtetëror. Janë tetë jetimë që kërkojnë drejtësi. 21 Janari është prioritet, më pas vjen Gërdeci, rruga Durrës-Kukës, etj. Janë një sërë dosjesh shumë sensitive që duhet të rihapen dhe që shqiptarët presin që drejtësia t’i marrë sërish në shqyrtim”, u shpreh deputeti Çuko.
Në të njëjtën linjë është dhe deputeti Sadri Abazi. Ai thotë se 21 Janari është një çështje e pagjykuar, pasi ende nuk kanë shkuar para drejtësisë autorët e vërtetë. Abazi fajëson politikën për mos gjykimin e kësaj çështjeje. “21 Janari është një çështje e pagjykuar; fajtorët nuk janë gjetur ende.
Unë shpresoj që kjo çështje të hapet menjëherë. Krim pa autor nuk ka! Janë katër të vrarë që presin autorësinë e kriminelit. Ka qenë politika në mes që e ka penguar këtë çështje të gjykohet. Autorët kushdo qofshin, Berisha, Basha apo të tjerë, ka ardhur moment që të shkojnë para drejtësisë. Nuk duhet të pritet kur të vdesin autorët e krimit, se pastaj do na ndëshkojë historia”, u shpreh Abazi.
Provat për “21 Janarin”
Socialistët shprehen se provat për 21 Janarin janë të mjaftueshme dhe drejtësia do ta ketë të lehtë të marrë një vendim të drejtë. “Vendosja e drejtësisë do ndihmojë që trupi dhe shpirti i të vrarëve të prehet në paqe! Ekzistonë në sërë provash.
Madje do thoja se përpos qeverisë, mjaft organizata ndërkombëtare, kanë ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes. Jemi të sigurt se autorët do të kapen”, pohoi Xhemal Qefalia. Gjithashtu, edhe deputeti Paulin Sterkaj shprehet se miratimin e reformës do të ketë drejtësi të drejtë për një sërë ngjarjesh.
ma.me